Turqia

Media turke një “alternativë” e re për etiopianët

Drejtuesit e televizionit shtetëror dhe agjencisë së lajmeve, që përbëjnë shtyllën kurrizore të mediave etiopiane, thanë se e shohin TRT dhe Anadolu Agency (AA) si burime alternative dhe të paanshme kundër medias perëndimore

Tufan Aktaş  | 27.05.2022 - Përdıtësım : 30.05.2022
Media turke një “alternativë” e re për etiopianët

Stamboll

Drejtuesit e televizionit shtetëror dhe agjencisë së lajmeve, që përbëjnë shtyllën kurrizore të mediave etiopiane, thanë se e shohin TRT dhe Anadolu Agency (AA) si burime alternative dhe të paanshme kundër medias perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Samitin e Medias Turqi-Afrikë të zhvilluar në Stamboll nga Drejtoria e Komunikimit të Presidencës, drejtuesit etiopianë bënë vlerësime për AA-në dhe dhanë mesazhin se duhet të vazhdojë bashkëpunimi në media.

Shefi ekzekutiv i televizionit shtetëror etiopian EBC, Feseha Yetagsu i cili përfshin një numër të madh kanalesh dhe radiosh, e përshkroi samitin si "një mundësi shumë të mirë për rrjetëzim" dhe deklaroi se shumica e pjesëmarrësve ishin menaxherë të kanaleve, gazetave dhe agjencive.

"Është shumë bukur të shohësh drejtuesit e medias turke këtu. Temat që ne diskutojmë janë të zgjedhura me kujdes dhe debate në kohën e duhur. Akademikët hedhin një dritë të ndryshme mbi debatet e vazhdueshme në mbarë botën", tha Yetagsu.

Ai tha se është i kënaqur me përpjekjet e Turqisë për përmirësimin e marrëdhënieve me Afrikën duke organizuar organizata të tilla. Yetagsu shtoi se kompanitë turke janë aktualisht një nga investitorët më të mëdhenj në kontinent së bashku me Kinën.

Duke kujtuar se Turqia dhe vendet e Afrikës Lindore kanë një sfond të përbashkët historik, Yetagsu tha: "Është vërtet bukur që ne jemi të ndërthurur përsëri me njëri-tjetrin".

- "Një burim alternativ"

Yetagsu tha "TRT World është një burim alternativ ndaj televizioneve si BBC dhe CNN. TRT është një zë i ri veçanërisht dhe duhet të forcohet më shumë për të qenë dominues në Afrikë".

Duke përmendur se media është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërkombëtare, Yetagsu tha se Etiopia synon të rritet përmes kanaleve të reja për të qenë zëri i vendeve fqinje.

"Ne duam të krijojmë kanale të reja, radio stacione dhe të bëhemi një nga epiqendrat e mediave afrikane. Etiopia është selia e Bashkimit Afrikan dhe ky zë duhet të rezonojë këtu", u shpreh ai.

- "Ngjarjet në Etiopi u raportuan në mënyrë të paanshme"

Menaxheri i lartë i Agjencisë Etiopiane të Lajmeve (ENA), Seife Deribe Endale tha se Turqia i afrohet Afrikës me partneritet, jo me hegjemonizëm dhe tha se qeveritë afrikane janë "me të vërtetë" të interesuara për qasjen e Turqisë.

Duke thënë se Turqia ka kontribuar pozitivisht në zhvillimin dhe paqen e Afrikës, Endale tha se prania në rritje e investitorëve turq në vendet afrikane, përfshirë Etiopinë, lidhet me këtë.

"ENA dhe AA bënë një marrëveshje bashkëpunimi vite më parë. Këto marrëveshje duhet të shndërrohen në partneritete më të forta. Marrëdhëniet e mira midis qeverive duhet të çohen përpara me partneritet midis agjencive të lajmeve", tha ai.

Duke vënë në dukje se TRT ka një potencial shumë të lartë për të arritur publikun, sepse është televizion, Endale tha: "Ne etiopianët e përdorim shpesh TRT si burimin e lajmeve tona".

Endale tha se "TRT dhe Anadolu Agency raportuan konfliktet në Etiopi në mënyrë të paanshme për lexuesit e tyre. TRT World ia del të prezantojë lajmin e mirë në një mënyrë të mirë dhe të ekuilibruar".

Në aktivitetin e mbajtur me rastin e 25 Majit, Ditës së Afrikës morën pjesë 80 përfaqësues të shtypit nga 45 vende afrikane si dhe diplomatë afrikanë, drejtues të institucioneve publike, përfaqësues të mediave, akademikë, përfaqësues të sektorit privat dhe OJQ.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın