Turqia

Interesim i madh për Festivalin Kulturor Etnosport

Festivali katërditor i organizuar nga Konfederata Botërore e Etnosporteve (DEK) që u mbajt deri dje në Aeroportin Ataturk të Stambollit, priti rreth 1,2 milion vizitorë

Mutlu Demirtaştan   | 07.10.2019
Interesim i madh për Festivalin Kulturor Etnosport

Stamboll

MUTLU DEMİRTAŞTAN

Festivali i Katërt Botëror Etnosport i cili u organizua në Stamboll hasi në interesim të madh nga ana e vizitorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali katërditor i organizuar nga Konfederata Botërore e Etnosporteve (DEK) që u mbajt deri dje në Aeroportin Ataturk të Stambollit, priti rreth 1,2 milion vizitorë.

Krahas sporteve tradicionale në 12 disiplina, gjatë festivalit, në të cilin AA ishte partner global i komunikimit, u prezantuan edhe ushqime, vepra artizanale dhe lojëra për fëmijë, si pjesë e rëndësishme e kulturës turke.

DEK është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2015 në Kirgistan dhe ka për qëllim gjallërimin e sporteve dhe lojërave tradicionale. Në vitin 2017, qendra e saj u zhvendos në Stamboll dhe sot, konfederata numëron 13 anëtarë nga dhjetë vende, ndërsa nga viti 2016 organizon Festivalin Kulturor Etnosport.

Gjatë festivalit të këtij viti morën pjesë afër një mijë sportistë, përfshirë 250 në disiplinën e mundjes.

Yjet e Superligës pjesëmarrës në shigjetim

Festivali u vizitua nga shumë yje të ligës së parë të futbollit të Turqisë, Superligës, përfshirë futbollistin nga Kosova Vedat Muriqi, kolumbianin Radamel Falcao, Emre Belözoğlu dhe ish-portierin e kombëtares turke Rüştü Reçber, të cilët hodhën me shigjetë në disiplinën e shigjetimit.

Interesim i madh për ushqimet tradicionale

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) prezantoi për vizitorët shije të ndryshme nga kuzhina e shumë vendeve.

Në festival u shfaqën mbi 50 lloje ushqimesh nga 16 vende, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

Krahas shigjetimit, gjatë organizimit interesim të madh u tregua edhe për shfaqjet në kalërim.

Fëmijët u zbavitën me lojëra tradicionale

Përveç garave sportive, fëmijët po ashtu zhvilluan aktivitete të ndryshme zbavitëse, duke gjetur mundësinë për të provuar mbi 30 lojëra tradicionale të cilat kanë filluar të harrohen.

Nën mbikëqyrjen e profesionistëve me përvojë, fëmijët po ashtu provuan shumë sporte dhe lojëra, përfshirë shigjetimin, kalërimin dhe lojën "Mangala".

Gjithashtu, pjesëmarrësit kishin mundësinë të shihnin edhe punime artizanale në mbi 60 punëtori.

Garë e fortë në tendën e AA-së

Në tendën e AA-së të vendosur në kuadër të festivalit, u zhvillua garë në disiplinën "parkur".

Gara "parkur" u zhvillua në kuadër të Akademisë së Gazetarisë së luftës që realizohet nga Akademia e Lajmeve e AA-së dhe Akademia Policore për trajnimin e gazetarëve për gjendje lufte, katastrofash dhe gjendje të jashtëzakonshme.

Pjesëmarrësit, të veshur me jelekë sigurie dhe helmeta, u përpoqën që ta përfundojnë garën në kohë sa më të shpejtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın