Turqia

Erdoğan: Vaksinën tonë vendase do ta ofrojmë në përfitimin e të gjithë njerëzisë

"Ne kemi deklaruar qartë në çdo platformë se vaksina, e cila është arma jonë më e madhe kundër virusit, nuk duhet të sakrifikohet për interesa apo motive të fitimit", tha Erdoğan

Mehmet Tosun   | 08.04.2021
Erdoğan: Vaksinën tonë vendase do ta ofrojmë në përfitimin e të gjithë njerëzisë ( Mustafa Kamacı - Anadolu Agency )

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij po punon në prodhimin e vaksinës vendase për të luftuar pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe se këtë vaksinë do ta vendosin në shërbim të gjithë njerëzimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke u adresuar përmes video-lidhjes në një takim të kombeve në zhvillim D-8, presidenti Erdoğan theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në luftën kundër pandemisë. Ai përmendi ndihmën e Turqisë për 157 vende dhe 12 organizata ndërkombëtare gjatë shpërthimit të pandemisë.

"Ne kemi deklaruar qartë në çdo platformë se vaksina, e cila është arma jonë më e madhe kundër virusit, nuk duhet të sakrifikohet për interesa apo motive të fitimit", tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan promovon idenë e 'megabankës islame'

Më tej, Erdoğan promovoi idenë e një 'megabanke islame', e cila do të mund të plotësojë kërkesat e likuiditetit të institucioneve financiare islame, si dhe financimin e projekteve të infrastrukturës.

Në adresimin e tij në takimin e kombeve në zhvillim D-8, presidenti Erdoğan po ashtu përsëriti përpjekjen e tij për zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare përmes monedhave vendase.

Që kur ai për herë të parë apeloi për tregti në monedhat vendase në samitin D-8 të vitit 2017 në Stamboll, theksoi presidenti turk, zhvillimet gjatë katër viteve të fundit dëshmuan se ideja është e besueshme dhe e shëndoshë.

"Për të mbrojtur vendet tona nga rreziqet e bazuara në monedha të huaja, ne duhet të përqendrohemi në tregtinë me monedhat vendase", tha presidenti Erdoğan.

Lidhur me Rrjetin D-8 për Kërkim dhe Inovacion, ai tha se ky rrjet është shumë i rëndësishëm sepse mundëson shkëmbimin e informacionit midis universiteteve dhe institucioneve të tjera në fusha të tilla si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, robotika dhe nano-teknologjia.

Ai theksoi se vendet anëtare të rrjetit D-8 duhet të përqendrohen në prodhimin me vlerë të lartë të shtuar, bazuar në teknologji të larta, me qëllim të një zhvillimi të fuqishëm dhe të qëndrueshëm.

Erdoğan po ashtu theksoi se anëtarët e rrjetit D-8 duhet të azhurnojnë bllokun për t'iu përshtatur më mirë nevojave të sotme, duke e shndërruar atë në një projekt dhe strukturë të orientuar drejt rezultateve.

Turqia i dorëzon Bangladeshit presidencën e mandatit të rrjetit D-8

Në lidhje me rolin e Turqisë gjatë presidencës së saj të mandatit të rrjetit D-8, presidenti Erdoğan tha se vendi i tij punoi për të forcuar organizatën dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal.

Gjatë samitit të mbajtur përmes video-lidhjes, Turqia i dorëzoi Bangladeshit presidencën e mandatit të rrjetit D-8.

Duke theksuar potencialin e gjerë njerëzor në mbi 1,1 miliard të rinj në vendet anëtare të rrjetit, Erdoğan tha se rinia e arsimuar mirë është thelbësore që ky rrjet të jetë i fortë dhe me ndikim.

Ai tha se Turqia mbështet strategjinë 'Rinia 2030' të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, strategji e cila synon të fuqizojë të rinjtë për të realizuar potencialin e tyre.

Presidenti turk tha se sapo të përfundojë një projekt i qendrës rinore të OKB-së në Stamboll, ajo qendër do të jetë një platformë që sjell të rinjtë së bashku brenda organizatës.

Themelimi i bllokut D-8 zyrtarisht u njoftua më 15 qershor të vitit 1997 në Deklaratën e Stambollit të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive.

Blloku përfshin Bangladeshin, Egjiptin, Nigerinë, Indonezinë, Iranin, Malajzinë, Pakistanin dhe Turqinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın