Turqia

Erdoğan: Turqia do të pranojë 3,157 miliardë dollarë nga Fondi i Gjelbër i Klimës

Sipas presidentit turk, me këtë marrëveshje do të sigurohet mbështetje financiare afatgjate për projektet e sektorit publik dhe privat në Turqi që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike

Muhammet Emin Avundukluoğlu   | 27.10.2021
Erdoğan: Turqia do të pranojë 3,157 miliardë dollarë nga Fondi i Gjelbër i Klimës ( Murat Kula - Anadolu Agency )

Ankara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se vendi i tij sipas një marrëveshjeje të fundit do të pranojë 3,157 miliardë dollarë nga Fondi i Gjelbër i Klimës, i krijuar për të mbështetur veprimet klimatike në vendet në zhvillim, raporton Anadolu Agency (AA).

"Ne jemi të vendosur të arrijmë sukses në çdo fushë me investime të synuara 'neutrale të karbonit' nën revolucionin e zhvillimit të gjelbër", tha Erdoğan para grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

Erdoğan shtoi se vendi i tij do të vazhdojë të zbatojë projekte që do të zhvillojnë "çdo pëllëmbë të tokës së vendit".

"Memorandumi i mirëkuptimit, i cili u negociua për një periudhë të gjatë, në lidhje me sigurimin e 3,157 miliardë dollarëve nga Fondi i Gjelbër i Klimës për vendin tonë, më në fund është nënshkruar", tha ai duke ndarë "lajmin e mirë" me ligjvënësit.

Sipas presidentit turk, me këtë marrëveshje do të sigurohet mbështetje financiare afatgjate për projektet e sektorit publik dhe privat në Turqi që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike.

Erdoğan po ashtu njoftoi se nga 12,5 milionë dollarë deri në 66,5 milionë dollarë nga këto fonde do të përdoren si grante.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.