Turqia

Erdoğan: Qëllimi i iniciativave të udhëhequra nga Macron, të lajnë hesapet me Islamin dhe muslimanët

"Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, ne nuk kemi fe sunizëm apo shiizëm, feja jonë është Islami", tha presidenti turk

Andaç Hongur,Çiğdem Münibe Alyanak,Berk Özkan   | 20.10.2020
Erdoğan: Qëllimi i iniciativave të udhëhequra nga Macron, të lajnë hesapet me Islamin dhe muslimanët

Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se retorika antiislame dhe antimuslimane sot është mjeti më i përdorshëm i politikanëve perëndimorë për të mbuluar dështimet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan i ka dërguar një video-mesazh mbledhjes së Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) të organizuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet).

Ai tha se muslimanët janë duke u përballur me shumë probleme të komplikuara nga terrori deri te uria, nga injoranca në padrejtësi, nga konfliktet e brendshme deri në përçarje.

"Nga Jemeni në Siri, nga Afganistani në Libi, në shumë rajone të territorit tonë gjeografik me të cilin kemi lidhje shpirtërore, fatkeqësisht mbizotëron gjaku, loti dhe paqëndrueshmëria", tha ai.

Sipas Erdoğan, në botë çdo ditë mesatarisht "1.000 vëllezër muslimanë janë viktima të terrorit ose dhunës".

"Në veçanti racizmi, ndarja në baza nacionaliste, sektarianizmi dhe fitneja e terrorizmit janë bërë probleme që po e rrënojnë përbrenda botën islame", u shpreh Erdoğan.

"Ashtu siç kemi thënë edhe më parë, ne nuk kemi fe sunizëm apo shiizëm, feja jonë është Islami", shtoi ai.

Presidenti turk ndër të tjera theksoi se nëse njerëzit nuk mund ta shuajnë etjen e tyre në fushën e fesë nga burime autentike, ata do të bien pre e organizatave terroriste si DEASH, FETO, El Shabab, Boko Haram dhe strukturave të tjera heretike.

"Retorika antiislame dhe antimuslimane sot është mjeti më i përdorshëm i politikanëve perëndimorë për të mbuluar dështimet e tyre. Konceptet si 'Islami francez', 'Islami evropian', 'Islami austriak' janë shembujt më të fundit të kësaj. Qëllimi i iniciativave të udhëhequra nga Macron është të lajnë hesapet me Islamin dhe muslimanët. Përkundër luftës me terrorin nën petkun e 'luftës me ekstremizmin'; synohet profil i qytetarit musliman pasiv, frikacak, i thjeshtë, që nuk ngre zërin kundër mizorit, nuk reagon ndaj mizorisë", theksoi presidenti i Turqisë, Erdoğan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.