Turqia

Erdoğan: E kemi testuar dhe po vazhdojmë ta testojmë sistemin S-400

Presidenti Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas faljes së namazit të xhumasë në Stamboll

Hatice Şenses Kurukız,Berk Özkan   | 23.10.2020
Erdoğan: E kemi testuar dhe po vazhdojmë ta testojmë sistemin S-400

Stamboll

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se vendi i tij e ka testuar dhe po e teston sistemin e mbrojtjes ajrore S-400, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve pas faljes së namazit të xhumasë në lagjen Üsküdar të Stambollit.

Ndaj pyetjeve të një gazetari mbi zhvillimet në Azerbajxhan, çlirimin e rajoneve në kufirin me Iranin, propozimin e presidentit Ilham Aliyev që Turqia të jetë një prej bashkëkryesuesve të Grupit të Minskut dhe lidhur me qasjen e Rusisë për çështjen e Kaukazit, Erdoğan tha se momentialisht është e pamundur që deklarata e presidentit azerbajxhanas Ilham Aliyev të lihet mënjanë.

"Aq sa Rusia mendon se është e pranishme këtu për një zgjidhje për paqe, besoj se edhe Turqia ka po aq të drejtë sa Rusia që të marrë pjesë këtu për paqe. Sepse në partneritetin e Grupit të Minskut të OSBE-së, siç e dini, edhe Turqia ka vend për shkak të OSBE-së dhe fatkeqësisht deri tani nuk është marrë ndonjë rezultat nga treshja e Minskut. Azerbajxhani paraqet kërkesën e tij të drejtë ku ai thekson se ‘Nëse Armenia propozon Rusinë, edhe ne propozojmë Turqinë'. Them që për këtë arsye edhe Turqia bashkë me Rusinë duhet të jenë në këto bisedime të paqes, për sigurinë e kufijve".

Pasi vuri në dukje se nuk ka dëgjuar ndonjë qasje negative të Rusisë lidhur me këtë çështje, Erdoğan shtoi: "Rusia nuk ka ndonjë deklaratë negative lidhur me Turqinë. Ata që thonë se ka ‘deklaratë negative‘ kanë përfshirë edhe pak opinionin e tyre. Deri tani, ne jemi në bashkëpunim si për çështjen Azerbajxhan-Armeni, ashtu edhe për çështje të tjera, në të njëjtën mënyrë edhe për Sirinë. Po ashtu kemi pasur shumë punë të përbashkëta dha vazhdojmë të kemi edhe lidhur me Libinë. Shpresoj që pas kësaj të hedhim hapa të suksesshëm dhe gjejmë zgjidhje për çështjen e Sirisë, Libisë dhe nëse është e nevojshme edhe për Azerbajxhanin dhe Armeninë".

"Testimet janë kryer, po kryhen"

I pyetur mbi "testimin e sistemit S-400 në qytetin Sinop" dhe se "edhe nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes është bërë një deklaratë lidhur me çështjen", presidenti turk u përgjigj:

"Është e vërtetë, këto testime janë kryer, po bëhen dhe kjo qasje e Amerikës absolutisht nuk është e detyrueshme për ne. Sepse nëse nuk do të bëjmë testimin e këtyre mundësive që kemi, çfarë do të bëjmë tjetër? Mendoj se nuk kemi pse të pyesim Amerikën. Për këtë arsye, ne jo vetëm për S-400, por po kryejmë edhe testimin e shumë armëve të tjera të lehta, të mesme dhe të rënda, përfshirë edhe ato që kemi blerë nga Amerika. Edhe pas kësaj, do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Ndërkohë, edhe Greqia ka sistemin S-300. Ajo jo vetë që kryen testimin, por edhe po i përdor. A pyet, a flet Amerika për një gjë të tillë ndaj atyre? Jo. Pra, prania e një arme që i përket kryesisht Rusisë domethënë i shqetëson zotërinjtë. Ne jemi të vendosur dhe rrugën tonë do ta vazhdojmë në të njëjtën mënyrë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın