Turqia

Erdoğan dhe Trump më 13 nëntor do të takohen në Washington

“Shumë njerëz harrojnë se Turqia është një partner i madh tregtar i SHBA-ve, në fakt ata e bëjnë kornizën strukturore të çelikut për avionin tonë F-35”, tha Trump

Tuğrul Çam   | 08.10.2019
Erdoğan dhe Trump më 13 nëntor do të takohen në Washington

Ankara

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar se më 13 nëntor në Washington do të presë në takim homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shumë njerëz harrojnë se Turqia është një partner i madh tregtar i SHBA-ve, në fakt ata e bëjnë kornizën strukturore të çelikut për avionin tonë F-35”, tha Trump në një postim në Twitter.

“Ata po ashtu më kanë ndihmuar mua për të shpëtuar shumë jetë në provincën siriane Idlib dhe në kthimin, me shëndet të mirë, me kërkesën time, të Pastorit Brunson, të cilit i kishin mbetur shumë vite burg”, shtoi Trump.

Brunson u arrestua në muajin dhjetor të vitit 2016 dhe u akuzua në Izmir se ishte anëtar i organizatës terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të vitit 2016.

Pastori amerikan u dënua me pak më shumë se tre vite burg. Në korrik të vitit 2018, dënimi u ndryshua me arrest shtëpiak dhe në fund në muajin tetor u la i lirë për shkak të kohës së kaluar dhe sjelljes së mirë në paraburgim.

Trump po ashtu përsëriti se Turqia është “një anëtar i rëndësishëm me pozitë të mirë në NATO”, në një kohë kur administrata amerikane kritikon shumë anëtarë të NATO-s për mosrespektimin e përgjegjësive të tyre brenda aleancës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın