Turqia

Çavuşoğlu: Pala greke refuzoi të gjitha ofertat e zgjidhjeve për Qipron

"Ne nuk kemi më tolerancë për këtë. Prandaj, ne propozojmë një zgjidhje me dy shtete bazuar në barazinë sovrane”, tha kryediplomati turk

Zuhal Demirci,Nazlı Yüzbaşıoğlu,Muhammet İkbal Arslan   | 16.04.2021
Çavuşoğlu: Pala greke refuzoi të gjitha ofertat e zgjidhjeve për Qipron ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Ankara/Lefkosa

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se përgjatë më shumë se pesë dekadash bisedimesh për të zgjidhur çështjen e Qipros, pala greke hodhi poshtë të gjitha propozimet e zgjidhjes, raporton Anadolu Agency (AA).

"Në këto 53 vjet, Turqia dhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) kanë qenë në një qasje jashtëzakonisht konstruktive dhe treguan qëllime të mira, por pala qipriote greke që nuk dëshiron të ndajë asgjë me turqit qipriotë dhe mbështetësin e saj Greqinë refuzoi të gjithë ofertat e zgjidhjes në referendum dhe në tryezë", tha Çavuşoğlu gjatë takimit me homologun e nga Qiproja Veriore, Tahsin Ertugruloğlu.

Çavusoglu tha se në fund të atyre negociatave, qipriotët grekë u shpërblyen ndërsa qipriotë turq u ndëshkuan.

"Ne nuk kemi më tolerancë për këtë. Prandaj, ne propozojmë një zgjidhje me dy shtete bazuar në barazinë sovrane”, tha ai.

Çavuşoğlu, i cili qëndron në një vizitë pune në TRNC, tha se vizita e tij vjen përpara një takimi jozyrtar 5+1 mbi Qipron që do të mbahet në Gjenevë këtë muaj. Ai theksoi se qëndrimi i përbashkët i Ankarasë dhe Lefkosas do të vendoset gjatë kësaj vizite.

Kryediplomati turk tha se takimi i fundit para se të shkonte në Gjenevë do të mbahet në Ankara dhe më pas ata planifikojnë të shkojnë së bashku në Zvicër.

"Nëse ka një bazë të përbashkët, negociatat mund të fillojnë me parametra të rinj", tha Çavuşoğlu, duke shtuar se parametrat ekzistues siç janë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk i dhanë dhe nuk do t'i sjellin dobi procesit.

Statusi i vëzhguesit për TRNC-në në Këshillin Turk

Çavuşoğlu tha se ata vlerësuan me homologun e tij marrëdhëniet dypalëshe dhe veçanërisht misionet diplomatike dhe aktivitetet e TRNC-së jashtë vendit.

Ai kujtoi se Turqia ka përfshirë misionet e saj jashtë vendit në fushatën e vaksinimit, duke shtuar: "Ne kemi përfshirë miqtë tanë të dashur që punojnë në misionet e TRNC-së në këtë fushatë."

"TRNC ka status të ndryshëm në disa organizata rajonale dhe ndërkombëtare," tha ai, duke shtuar se aplikimi për statusin e vëzhguesit brenda Këshillit Turk ishte midis temave të takimit të tyre.

Këshilli u krijua në vitin 2009 si një organizatë ndërqeveritare me një qëllim të përgjithshëm për të promovuar bashkëpunimin e plotë midis shteteve turqishtfolëse.

Ai përbëhet nga Azerbajxhani, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Uzbekistani si vende anëtare dhe Hungaria si shtet vëzhgues.

Pas takimit, Çavuşoğlu përmes një postimi në Twitter bëri të ditur se në takim me homologun e tij nga TRNC janë vlerësuar zhvillimet e fundit në Qipro dhe Mesdheun Lindor.

Ai tha se u diskutuan përgatitjet për takimin e ardhshëm dhe shtoi: "Do të vazhdojmë gjithmonë të mbrojmë çështjen tonë kombëtare, Qipron, si dhe të punojmë së bashku bazuar në zgjidhjen e dy shteteve."

Çavuşoğlu gjithashtu tha se vendimi i gjykatës së Qipros Veriore për mbylljen e kurseve të Kur'anit ishte "vendim ideologjik".

Hidhen poshtë deklaratat e kryediplomatit grek

Nga ana e tij, Ertugruloğlu përgëzoi dhe falënderoi homologun e tij turk për qëndrimin solemn dhe mendimet e drejta që ai tregoi ndaj vërejtjeve "të paturpshme, të llastuara dhe agresive" të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë konferencës për media të mabjtur dje në Ankara.

Ai tha se ligjërimi dhe qëndrimi i ministrit grek që "kërcënoi atdheun tonë" me kartën e BE-së, "vërteton se sa i përshtatshëm dhe i drejtë është qëndrimi ynë për shkak se BE nuk duhet të jetë në tryezë në takimin 5+OKB" të planifikuar për në fund të prillit.

"Siç mund të shihet, BE nuk është një union i paanshëm dhe objektiv që mund të kontribuojë pozitivisht në këtë çështje, përkundrazi, është një union kundër nesh me strukturën e tij aktuale të anëtarëve dhe nuk ka vend për të në tryezë”, tha Ertugruloğlu.

Ai tha se agjenda e vetme e takimit të ardhshëm ishte të zbulonte nëse ekziston një bazë e përbashkët mbi të cilën palët mund të negociojnë në të ardhmen.

Ai tha nëse ekziston një terren për procesin ndër-shtetëror, do të fillojë një proces i ri negociatash me një shans suksesi.

"Nëse nuk ka, kjo do të shpjegohet qartë dhe sinqerisht dhe pasi 53 vjet janë kaluar kot, do të parandalohet që edhe 50-100 vjet të tjera të kalojnë kot", tha ai, duke shtuar se në një situatë të tillë do të fillojë një proces i ri.

Kryediplomati i Qipros Veriore theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të vendosë nëse do të vazhdojë apo jo diskriminimin ndaj popullit qipriot turk në mënyrë të padrejtë.

Në mënyrë që "një Qipro legale" të krijohet atje, tha Ertugruloğlu, duhet pranuar së pari që ka dy Qipro të ndara.

"Nëse ka dy Qipro të ndara, një Qipro legale mund të jetë në rendin e ditës," tha ai.

Çështja e Qipros

Në vitin 1974, pas një grushti shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja ndërhyri si një fuqi garantuese, kurse në vitin 1983, u themelua TRNC.

Dekadat pasuese kanë regjistruar disa përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Qipros, por të gjitha përfunduan pa rezultat. Përpjekja e fundit, e mbajtur me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.

Turqia ka theksuar së fundmi se përpjekjet për një zgjidhje "federale" për ishullin e ndarë të Qipros kanë rezultuar të pashpresa dhe çdo negociatë në të ardhmen duhet të përqendrohet në dy shtete sovrane të ndara në ishull.

Muajin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se synon të thërrasë një takim me palët e Qipros në fillim të marsit.

Guterres gjatë konferencës së tij të parë për media në vitin 2021, tha se takimi do të jetë jozyrtar dhe pa parakushte për të lejuar palët të shohin se ka një ndryshim në administratën e Qipros Turke.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın