Turqia

Çavuşoğlu: Haftari kërkon zgjidhje ushtarake për konfliktin në Libi

Është fakt se Haftari nuk dëshiron paqen. Ai kërkon zgjidhje ushtarake, jo një proces politik", tha Çavuşoğlu

Ömer Tuğrul Çam   | 15.01.2020
Çavuşoğlu: Haftari kërkon zgjidhje ushtarake për konfliktin në Libi ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Ankara

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se komandanti ushtarak renegat i Libisë, Khalifa Haftar, po kërkon një zgjidhje ushtarake për konfliktin e vazhdueshëm në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

"Është fakt se Haftari nuk dëshiron paqen. Ai kërkon zgjidhje ushtarake, jo një proces politik", tha Çavuşoğlu në një panel të organizuar në Ankara.

Përkundër kësaj, tha Çavuşoğlu, Turqia nuk është pesimiste për çështjen e Libisë.

Më 12 janar, palët ndërluftuese të konfliktit libian njoftuan një armëpushim në përgjigje të thirrjes së përbashkët të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tjetra GNA me qendër në Tripoli që gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

- Armëpushimi në Idlib

Kryediplomati turk po ashtu iu referua edhe armëpushimit në provincën veri-perëndimore të Sirisë, Idlib, që filloi mëngjesin e hershëm të së dielës, pasuar nga shkelja e marrëveshjes së de-eskalimit të arritur në shtator të vitit 2018 për këtë rajon.

"Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Idlib të Sirisë, nëse ka ndonjë rrezik të sigurisë", tha Çavuşoğlu, duke shtuar se ky nuk është një kërcënim për regjimin sirian.

Turqia ka kryer presion për armëpushimin në Idlib pasi rajoni përjetoi sulme të vazhdueshme nga forcat besnike të regjimit të Bashar al-Assadit dhe aleatëve të tij, duke shkaktuar një milion refugjatë civilë të largoheshin drejt kufirit turk.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Që atërherë, mbi 1.600 civilë janë vrarë atje në sulmet e regjimit dhe të forcave ruse, pasi armëpushimi vazhdonte të mos respektohej.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın