Turqia

Bahçeli: Inspektimi i anijes turke përbën "banditizëm"

Duke folur para deputetëve të partisë së tij në parlamentin turk, Bahçeli tha se inspektimi ishte një "skemë e pamoralshme" që përbënte "banditizëm"

Muhammet Emin Avundukluoğlu  | 24.11.2020 - Përdıtësım : 25.11.2020
Bahçeli: Inspektimi i anijes turke përbën "banditizëm"

Ankara

Kreu i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, dënoi ashpër inspektimin e paligjshëm të anijes private me flamur turk që transportonte ndihma humanitare në Libi nga një fregatë gjermane, raporton Anadolu Agency (AA).

"Trajtimi i pësuar kundërshton në thelb ligjin dhe moralin e aleancës", tha Bahçeli.

Duke folur para deputetëve të partisë së tij në parlamentin turk, Bahçeli tha se inspektimi ishte një "skemë e pamoralshme" që përbënte "banditizëm".

"Dënoj fuqishëm provokimin agresiv në Mesdheun Lindor", tha ai, duke shtuar se Turqia nuk do ta lejonte kurrë veten të "mashtrohej për të drejtat dhe dinjitetin e saj".

Bahçeli shtoi se pas incidentit, Turqia u dërgoi një notë diplomatike ambasadorëve të BE-së dhe Italisë, si dhe të ngarkuarit me punë të Gjermanisë.

Gjatë ditës së djeshme, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë gjithashtu dënoi inspektimin e paligjshëm nga fregata gjermane, e cila shërben në misionin detar të BE-së të komanduar nga Greqia, mision i cili zbaton embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara ndaj Libisë.

Turqia ka argumentuar prej kohësh se embargoja e OKB-së është duke u zbatuar në një mënyrë të njëanshme dhe se favorizon komandantin puçist, Khalifa Haftar.

Ministria e Jashtme turke tha se anija po mbante vetëm bojë, materiale të ngjyrosjes dhe ndihmë humanitare për në portin Misrata të Libisë dhe nuk shkeli embargon e OKB-së.

Libia është shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në vitin 2011.

Qeveri e re u themelua në vitin 2015 nën marrëveshjen e udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë kanë dështuar përballë sulmeve nga forcat e Haftarit.

Turqia mbështet qeverinë legjitime të vendit, me qendër në kryeqytetin Tripoli.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın