Turqia

Atsushi Miyazaki, heroi i tërmetit të vitit 2011 në Turqinë lindore

Mjeku japonez erdhi për të shpëtuar viktimat e tërmetit në provincën Van, kur rajoni u godit nga një tërmet 7,2 ballësh më 23 tetor 2011, por humbi jetën nga një tërmet tjetër më 9 nëntor

Ali Murat Alhas   | 08.11.2019
Atsushi Miyazaki, heroi i tërmetit të vitit 2011 në Turqinë lindore

Van

Kanë kaluar vite që kur mjeku japonez Atsushi Miyazaki humbi jetën në provincën lindore Van të Turqisë pas një tërmeti në vitin 2011, por ai akoma mbetet një burim frymëzimi dhe respekti për popullin turk.

Miyazaki erdhi për të shpëtuar viktimat e tërmetit në provincën Van, kur rajoni u godit nga një tërmet me magnitudë prej 7,2 ballësh më 23 tetor të vitit 2011 dhe shtriu dorën e ndihmës për njerëzit si mjek dhe ndihmues humanitar.

Megjithatë, një tërmet tjetër me magnitudë 5,6 ballë goditi qytetin përsëri më 9 nëntor.

Tërmeti i dytë shkaktoi që hoteli ku qëndronte ai të shembej, me çka Miyazaki, i lënduar rëndë, u nxor nga rrënojat pas operacioneve intensive të shpëtimit, por iu nënshtrua plagëve në spital.

Me fytyrën e tij të buzëqeshur dhe aktivitetet humanitare, ai edhe sot kujtohet si "heroi i tërmetit" nga banorët e provincës.

Çdo vit, ai përkujtohet në provincë, ndërsa shumë rrugë, shkolla, parqe dhe bulevarde janë emëruar sipas tij, në mënyrë që trashëgimia e tij të mos harrohet.

Cengiz Aras, sekretari i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Van, tha për AA se qindra njerëz humbën jetën si pasojë e tërmeteve të vitit 2011 në provincën Van, ndërsa Miyazaki u bë një nga emrat simbolikë të lidhur me aktivitetet humanitare.

"Është e rëndësishme që ai erdhi nga një cep tjetër i botës dhe punoi për të mjekuar plagët e njerëzve në Van", tha Aras.

"Ne e emëruam sallën tonë të mbledhjeve me emrin e tij", shtoi Aras.

Po ashtu, një shkollë, një klinikë spitalore dhe një fermë në Van bartin emrin e mjekut japonez.

Sipas Drejtorisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), tërmetet e 2 tetorit dhe 9 nëntorit të vitit 2011 rezultuan me vdekjen e 644 personave dhe lëndimin e 2.000 njerëzve të tjerë, ndërkohë që gjithsej 252 njerëz u shpëtuan nga rrënojat.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın