Në memorandumin shpjegues të Projektligjit për Forcimin e Solidaritetit Kombëtar dhe Integrimit Social, të përgatitur në kuadër të objektivit "Turqi pa Terrorizëm", thuhet se "Projektligji nuk është një rregullore që eliminon vendimet e dënimit, ndryshon natyrën ligjore të krimeve ose i jep fund përgjegjësisë penale", raporton Anadolu.
Memorandumi shpjegues i projektligjit, i paraqitur Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Numan Kurtulmus, kujton qëllimet dhe detyrat themelore të shtetit, duke deklaruar se forcimi i paqes sociale, përveç mbrojtjes së rendit publik, është një nga detyrat kryesore të shtetit.
Në këtë periudhë ku po hyhet në shekullin e dytë të Republikës, Turqia po ecën drejt së ardhmes me një perspektivë të re që i konsideron sigurinë, demokracinë dhe sundimin e ligjit si elementë plotësues, thuhet në arsyetim, ku më tej vihet në dukje:
"Në të vërtetë, ky shekull përfaqëson jo vetëm një epokë të re, por edhe një vizion që do të forcojë më tej karakterin demokratik të sundimit të ligjit të shtetit, do të konsolidojë unitetin dhe solidaritetin kombëtar, do ta bëjë paqen sociale të përhershme dhe do të sigurojë të ardhmen e përbashkët të kombit tonë. Ky vizion, i formësuar rreth integritetit të pandashëm të shtetit me vendin dhe kombin e tij, parimit të sovranitetit kombëtar dhe vetëdijes së qytetarisë së përbashkët, kërkon jo vetëm mbrojtjen e rendit publik, por edhe forcimin e integrimit shoqëror dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët mbi themele më të forta".
Në arsyetimin ku theksohet se një Turqi e lirë nga terrorizmi premton një të ardhme më të fortë në aspektin e sigurisë, demokracisë, zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, thuhet se "Drejtimi i burimeve të alokuara për sigurinë drejt arsimit, shkencës, teknologjisë, prodhimit, infrastrukturës dhe zhvillimit shoqëror do të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e paqes në çdo cep të vendit dhe në sigurimin që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë të sigurt, të lirë nga efektet e dhunës".
Arsyetimi vë në dukje se në procesin e luftës të shtrirë për shumë vite kundër terrorizmit nuk ka qenë i mjaftuar vetëm me masat e sigurisë, por janë vënë në zbatim edhe politikat me shumë drejtime ekonomike, sociale dhe demokratike. Ai thekson se kjo çështje nuk është parë vetëm nga një perspektivë sigurie, por është trajtuar me një qasje tërësore, duke e trajtuar me të gjitha dimensionet e saj.
Reforma gjithëpërfshirëse u zbatuan, veçanërisht që nga viti 2002, për të forcuar të drejtat dhe liritë themelore, për të përforcuar lidhjen midis shtetit dhe kombit dhe për të rritur standardet demokratike, rikujtohet në arsyetimin ku shpjegohet se është bërë përparim i konsiderueshëm në fushat e sundimit të ligjit dhe demokratizimit falë ndryshimeve kushtetuese dhe rregulloreve të tjera ligjore të miratuara nga Asambleja e Madhe Kombëtare dhe të miratuara nga populli.
Arsyetimi pohon se qëllimi është vendosja e përhershme e paqes sociale bazuar në integritetin e pandashëm të Republikës së Turqisë me vendin dhe kombin e saj, parimin e shtetit ligjor, rendin politik demokratik dhe sigurinë publike. Më tej, theksohet se thelbi i kësaj qasjeje është arritja e integrimit shoqëror dhe mbrojtja e vlerave të përbashkëta të kombit duke eliminuar organizatat e armatosura dhe duke forcuar sferën politike demokratike.
Në arsyetim, ku theksohet se Komisioni i Solidaritetit Kombëtar, Vëllazërisë dhe Demokracisë, i themeluar nën ombrellën e parlamentit turk (TBMM), ka shërbyer si një qendër e rëndësishme konsultimi dhe vlerësimi që ka kontribuar në trajtimin e pikëpamjeve të ndryshme politike, pritshmërive shoqërore dhe vlerësimeve juridike mbi një terren të përbashkët, thuhet se punimet e Komisionit kanë mundësuar vlerësimin e problemeve të shfaqura në të gjitha dimensionet e tyre, identifikimin e padrejtësive/viktimizimeve, forcimin e konsensusit shoqëror dhe trajtimin gjithëpërfshirës të rregullimeve ligjore të nevojshme. Në këtë mënyrë përgjegjësia kushtetuese e TBMM-së (parlamentit turk), si vatër e vullnetit të kombit, në zgjidhjen e problemeve shoqërore u shfaq edhe një herë në mënyrë konkrete, njoftohet në arsyetimin ku vihet theksi se:
"Shteti i së drejtës nuk është një sistem që ka në thelb vetëm ndëshkimin e veprave penale. Shteti i së drejtës shpreh një kuptim shumëdimensional që merr parasysh edhe sigurimin e drejtësisë, mbrojtjen e sigurisë publike, forcimin e qetësisë shoqërore dhe riintegrimin e individëve që kanë kryer vepra penale në shoqëri. Në përputhje me këtë qasje, sistemi i drejtësisë penale nuk mban qëllimin e përgjigjes vetëm ndaj krimeve të kryera në të kaluarën, por shërben për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e përsëritjes së krimeve, inkurajimin e të dënuarit që të jetojë si një individ i respektueshëm ndaj rregullave të së drejtës, si dhe për forcimin e paqes shoqërore. Bërja e përhershme e fazës aktuale të arritur në proces kërkon, krahas vazhdimit efektiv të masave të sigurisë, edhe zhvillimin e sistemit të drejtësisë penale në atë mënyrë që të mbështesë sigurinë publike në planin afatgjatë. Në këtë kuadër, me projektligjin e përgatitur synohet parandalimi i përjetimit të ngjashëm të dhimbjeve në të ardhmen, bërja e përhershme e fitimeve të arritura, vendosja e sigurisë publike në një mënyrë më të fortë, zhvillimi i sistemit të drejtësisë penale dhe, nëse plotësohen kushtet e caktuara, integrimi i personave përkatës në shoqëri si individë të lidhur me rendin juridik."
Duke theksuar se kompetenca diskrecionale e ligjvënësit në përcaktimin e politikave të dënimit dhe ekzekutimit është një kompetencë kushtetuese që synon realizimin e interesit publik brenda kufijve të vizatuar nga parimi i shtetit të së drejtës, në arsyetim nënvizohet se "Bërja e rregullimeve të reja në sistemin e drejtësisë penale, duke marrë parasysh ndryshimin e kushteve shoqërore, nivelin që kanë arritur politikat e sigurisë, rezultatet e zbatimit të sistemit të drejtësisë penale dhe nevojat e rendit publik, është një nga detyrat natyrore dhe kushtetuese të organit ligjvënës në shtetet bashkëkohore të së drejtës".
Në arsyetim u shënuan gjithashtu fjalët e mëposhtme:
"Projektligji nuk përbën një rregullim që eliminon vendimet e dënimit, ndryshon cilësimin juridik të veprave penale ose i jep fund përgjegjësisë penale. Proceset e vazhdueshme të hetimit dhe ndjekjes penale, si dhe vendimet përfundimtare të dënimit ruajnë ekzistencën e tyre me të gjitha pasojat juridike, ndërsa nuk parashikohet ndonjë ndryshim në lidhje me natyrën e veprës penale, vendimin e dënimit ose përgjegjësinë penale. Në këtë aspekt, projektligji, nga pikëpamja e natyrës së tij juridike, mban karakterin e një rregullimi ligjor të kufizuar dhe të kushtëzuar në lidhje me sistemin e drejtësisë penale dhe të drejtën e ekzekutimit".
Duke u bërë e ditur se në aspektin e vendosjes së procesit të "Turqisë pa Terrorizëm" mbi një terren të shëndetshëm, realist dhe të qëndrueshëm janë vlerësuar edhe përvojat ndërkombëtare, në arsyetim u cek se duke marrë parasysh përvojën e grumbulluar prej më shumë se 40 vitesh, është krijuar një "Model i Turqisë" origjinal i formësuar me përvojën vetjake, realitetin shoqëror dhe traditën shtetërore të Turqisë.
Në arsyetim thuhet se projektligji i përgatitur në përputhje me raportin e dalë nga Komisioni i Solidaritetit Kombëtar, Vëllazërisë dhe Demokracisë, me një qasje që i jep përparësi mendjes së përbashkët dhe të thënave të përbashkëta minimale, përbën një kornizë themelore që përbën hapin e parë të rregullimeve juridike të parashikuara në kuadër të procesit, dhe më tej u përdorën shprehjet vijuese:
"Duke marrë parasysh strukturën dinamike të procesit, do të jetë e mundur që, në përputhje me nevojat që mund të shfaqen gjatë zbatimit, përvojat që do të fitohen dhe kushtet e ndryshuara e kërkesat, brenda kuadrit të vlerësimit diskrecional të organit ligjvënës, të bëhen ndryshime shtesë në legjislacionin përkatës ose të nxirren rregullime të reja ligjore për të siguruar që procesi të ecë në përputhje me synimin e tij. Duhet theksuar se procesi synon të rikrijojë paqen dhe vllazërinë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në të gjithë rajonin ku ndodhet vendi ynë. Në këtë kuadër, procesi i nisur me shpërbërjen e organizatës dhe dorëzimin e armëve, me hyrjen në fuqi të rregullimeve ligjore të nevojshme, tashmë do të jetë vepër e kombit".
news_share_descriptionsubscription_contact


