Turqia

Altun: Nuk është korrekte të lansohet si anëtarësim memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid

"Nuk është korrekte të lansohet memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid si anëtarësim. Ne do të vlerësojmë me shkrim shkallën në të cilën Finlanda dhe Suedia përmbushin angazhimet e tyre", tha Altun

Mümin Altaş   | 06.07.2022
Altun: Nuk është korrekte të lansohet si anëtarësim memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid

Ankara

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Türkiye-s (Turqisë), Fahrettin Altun tha se "Nuk është korrekte të lansohet memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid si anëtarësim. Ne do të vlerësojmë me shkrim se deri në çfarë mase Finlanda dhe Suedia përmbushin angazhimet e tyre", transmeton Anadolu Agency (AA).

Altun iu përgjigj pyetjeve të “Helsingin Sanomat”, një prej gazetave kryesore finlandeze, në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar në Samitin e Liderëve të NATO-s në Madrid.

Duke shpjeguar se diplomacia është arti i gjetjes ose krijimit të pikave ku kryqëzohen interesat e shteteve, Altun tha se në Madrid u nënshkrua një memorandum midis Türkiye-s, Finlandës dhe Suedisë dhe se Ankaraja mori atë që donte nga procesi i negociatave.

Ai tha se që në fillim të procesit Türkiye nuk ka pasur ndonjë kundërshtim kategorik për zgjerimin e NATO-s. Altun shtoi se Türkiye pret një angazhim konkret nga vendet që duan të anëtarësohen në NATO që të ndajnë vlerat dhe qëllimet e Aleancës.

Altun theksoi se pritshmëria e tyre më e rëndësishme është të parandalojnë aktivitetet e propagandës, rekrutimit dhe financimit të PKK-së, degës siriane të kësaj organizate terroriste, YPG-së dhe FETO-s, të cilët tentuan grusht shteti në Turqi dhe vranë 251 njerëz të pafajshëm.

"Mbështetja politike, financiare apo ushtarake ndaj këtyre organizatave përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën e qytetarëve turq. Në të njëjtën kohë, ne deklaruam hapur se këto dy vende që duan të bëhen anëtarë të NATO-s, Aleancës më të rëndësishme ushtarake në histori, nuk mund të vendosin asnjë embargo armësh ndaj Türkiye-s, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO. Pas nënshkrimit të një memorandumi, ne e kuptojmë se Finlanda dhe Suedia e kanë të qartë se sa seriozë dhe të vendosur jemi në luftën kundër terrorizmit", tha Altun.

I pyetur se cila ishte çështja më e vështirë në negociata, Altun tha se siç u shpreh presidenti Recep Tayyip Erdoğan, Türkiye i qaset anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO nga një perspektivë parimore dhe holistike.


- "Anëtarësimi në NATO është privilegj"

Duke shpjeguar se po shqyrtonin nëse Finlanda dhe Suedia do të anëtarësoheshin në NATO, pjesë e së cilës Türkiye është prej 70 vitesh, Altun tha se Ankaraja ndante hapur pritshmëritë e saj me këto vende.

Ai tha se nuk e shohin këtë proces si kapituj të veçantë. "Për shembull, ne nuk do të bënim asnjë lëshim në një skenar ku u ndërmorën hapa në luftën kundër terrorizmit, por sanksionet vazhduan. Po kështu, ishte e pamundur që ne të tregonim ndonjë fleksibilitet në lidhje me terrorizmin. Në këtë aspekt, të gjitha çështjet u trajtuan me peshë të barabartë në negociata", tha Altun.

Kur u pyet nëse Türkiye ka hequr dorë nga ndonjë prej kërkesave të saj, Altun tha: "Jo. Ne kemi bërë kërkesa mjaft legjitime. Në një skenar ku këto kërkesa nuk plotësohen, çdo përparim në kërkesat për anëtarësim të Finlandës dhe Suedisë do të rrezikonte drejtpërdrejt NATO-n. Nuk bëhej fjalë që ne të bënim ndonjë lëshim”.

Në pyetjen se "A mund të presë Finlanda që Türkiye të miratojë pranimin e saj në NATO pa vonesë?", Altun tha: "Nuk është korrekte të lansohet memorandumi trepalësh i nënshkruar në Madrid si anëtarësim. Ne do të vlerësojmë me shkrim shkallën në të cilën Finlanda dhe Suedia përmbushin angazhimet e tyre. Anëtarësimi në NATO nuk është meritë por privilegj. Shtetet që duan të kenë këtë privilegj duhet të plotësojnë disa kushte. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që YPG dhe FETO si dhe PKK të njihen si organizata terroriste në tekst. Tani, përgjegjësia e këtyre dy vendeve është të mbajnë premtimet e tyre".

- Ekstradimi i terroristëve

Kreu i Komunikimeve të Presidencës, Altun tha se anëtarët e organizatës, të cilët u paraqitën si viktima para popullit finlandez, treguan fytyrat e tyre të vërteta muajt e fundit pa lënë vend për dyshime.

Duke kujtuar se pamjet e anëtarëve të organizatës terroriste PKK/YPG që sulmojnë finlandezët u shfaqën kohët e fundit në Helsinki, Altun tha: "Është e qartë se këta njerëz nuk kujdesen për interesat e Finlandës dhe nuk ndajnë vlerat e vendit tuaj. Autoritetet finlandeze duhet të ndërmarrin hapa për të respektuar angazhimet e tyre dhe për të mbrojtur qytetarët e tyre nga ky kërcënim".

Ai potencoi se Türkiye i ka shprehur qartë pritshmëritë e saj si në takime zyrtare ashtu edhe në deklarata publike. Altun tha se e rëndësishme këtu është që të ndërmerren hapat e nevojshëm në luftën kundër terrorizmit. "Se si do të ndërmerren këto hapa është çështje e qeverisë finlandeze. Ne shohim rezultatin", tha Altun.

Në vazhdim Altun kujton se Finlanda dhe Suedia kanë marrë angazhime me shkrim në lidhje me ekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste. "Türkiye ndau informacionin e nevojshëm për anëtarët e organizatës terroriste me autoritetet e dy vendeve. Çështja e ekstradimit të terroristëve sigurisht që do të jetë një provë për sinqeritetin e shteteve përkatëse. Do të ishte kundër frymës së Aleancës ofrimi i strehimit të sigurt i njerëzve që po përpiqen të përmbysin rendin kushtetues në Türkiye, të cilët janë të përfshirë në akte dhune dhe që kërcënojnë sigurinë e jetës dhe pronës së njerëzve të pafajshëm”, tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın