Turqia

Akar vlerëson si pozitiv faktin që Egjipti respekton shelfin kontinental të Turqisë në Mesdhe

Duke folur në lidhje me çështjet midis vendit të tij dhe Greqisë, Akar tha se Turqia është e vendosur për zgjidhjen e çështjeve bazuar në dialog, ligjin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë

Sarp Özer   | 06.03.2021
Akar vlerëson si pozitiv faktin që Egjipti respekton shelfin kontinental të Turqisë në Mesdhe ( Arif Akdoğan - Anadolu Agency )

Ankara

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, vlerësoi si pozitiv faktin që Egjipti kryen kërkimet e saj të hidrokarbureve në Mesdheun lindor, duke respektuar shelfin kontinental të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Akar vëzhgoi stërvitjen ushtarake "Atdheu i Kaltër 2021" nga fregata "TCG Oruçreis", ku u shoqërua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Yaşar Güler; Komandanti i Forcave Tokësore, Gjenerali Ümit Dündar; Komandanti i Forcave Ajrore, Gjenerali Hasan Küçükakyüz; si dhe Komandanti i Marinës, Adnan Özbal.

Akar theksoi se shtetet kryejnë stërvitje të ndryshme sipas ligjit ndërkombëtar për të zhvilluar forcat e tyre të armatosura, për të testuar sistemet e tyre dhe për të rritur aftësitë e stafit.

"Stërvitja jonë ' Atdheu i Kaltër 2021' është një ushtrim që kryhet tërësisht brenda kornizës së ligjit ndërkombëtar në mënyrë që të rrisim përvojën, njohuritë dhe aftësitë tona. Forcat detare, ajrore, komanda e përgjithshme dhe rojet bregdetare marrin pjesë në këtë ushtrim. Besoj se ky ushtrim dha një kontribut shumë të rëndësishëm në përmirësimin e aftësisë sonë për të punuar së bashku", tha Akar.

Ai kujtoi gjithashtu deklaratat e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili theksoi rëndësinë e Turqisë në aleancë.

"Në të njëjtën kohë, me këtë stërvitje, ne vazhdojmë me të njëjtën vendosmëri misionet tona të tjera kombëtare, ndërkombëtare dhe të NATO-s. Deklarata e bërë kohët e fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është me të vërtetë e rëndësishme. Ai tha qartë se roli i Turqisë në mbrojtjen e NATO-s është shumë i rëndësishëm, dëshiroj ta falënderoj për këtë”, tha Akar.

Ministri turk i Mbrojtjes e vlerësoi si pozitiv faktin që Egjipti kryen kërkimet e saj të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor duke respektuar shelfin kontinental të Turqisë.

"Ky është një moment shumë i rëndësishëm, ne duam që të vazhdojë kështu. Ne kemi shumë vlera të përbashkëta historike dhe kulturore me Egjiptin. Në këtë drejtim, ne besojmë se mund të ketë ngjarje të ndryshme në ditët në vijim", shtoi Akar.

Duke folur në lidhje me çështjet midis vendit të tij dhe Greqisë, Akar tha se Turqia është e vendosur për zgjidhjen e çështjeve bazuar në dialog, ligjin ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

"Ne jemi të hapur për negociata mbi këtë çështje dhe ne duam të përdorim të gjitha mënyrat dhe metodat paqësore", përfundoi Akar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın