Admir Fazlagikj
17 Gusht 2017•Përditësim: 18 Gusht 2017
SHKUP (АА) – Klubi i futbollit Vardar arriti të shënojë fitore ndaj Fenerbahçes me rezultatin 2:0 në ndeshjen e sotme të play off-it të Ligës së Evropës që u luajt në arenën "Filipi i Dytë" në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Vardar arriti të shënoj golin e parë kundër Fenerbahçes në minutën e 20 me golin e sulmuesit Tigran Barseghyan, i cili ishte i vetëm para portierit duke shënuar golin e epërsisë.
Ekipi nga Turqia kishte dominimin që nga fillimi duke krijuar raste për të shënuar. Në vijim të ndeshjes ekipi turk pati dhe disa raste. Në minutën e 43-të arbitri anuloi një gol të Fenerbahçes pasi ishte shënuar nga pozitë jashtë loje.
Në pjesën e dytë Fenerbahçe kishte raste më të volitshme dhe posedim më të madh të topit, por nuk arritën të shënojnë.
Në minutat shtesë të vazhdimit të ndeshjes, mbrojtësi i Fenerbahçes, Mehmet Topal, në një mosmarrëveshje me portierin Karlos Kameni topin ia pasoi portierit kurse ai nuk ishte në gjendje të ndryshojë drejtimin e tij, me çka rritet epërsia e Vardarit në 2:0.
Në fund të ndeshjes arbitri italian Luka Batani dha dy kartonë të kuq, të parin për kapitenin e Vardarit Boban Grnçarov në minutën e 89-të, kurse të dytin pas minutave shtesë ndaj futbollistit të Fenerbahçes, Souza.