Sport

Me skermë në luftë kundër stereotipave dhe sfidave të jetës

Edhe pse për sportin e skermës ka një mit se është i rrezikshëm, por edhe stereotipe se është vetëm për burra "çeliku" dhe trima, në Shkup është një grua që i sfidon të gjitha ato stereotipa

Edıta Zekjırovıkj   | 21.01.2022
Me skermë në luftë kundër stereotipave dhe sfidave të jetës Foto: Edıta Zekjırovıkj / AA

Shkup

EDITA ZEKJIROVIKJ

Edhe pse për sportin e skermës ka një mit se është i rrezikshëm, por edhe stereotipe se është vetëm për burra "çeliku" dhe trima, në Shkup është një grua që i sfidon të gjitha ato stereotipa. Biljana Kuzmanovska (51) është e vetmja grua që është trajnere dhe përzgjedhëse aktive e sportit të skermës.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Kuzmanovska foli për dashurin e saj për skermën, qëllimin e saj për t’ua bartur njohuritë e saj të rinjve dhe në këtë mënyrë të ndikojë pozitivisht që ata "të bëhen jo vetëm sportistë të mirë, por edhe njerëz të mirë" dhe të mos u nënshtrohen veseve.

"Ne punojmë paralelisht në përgatitjen fizike, teknike, taktike dhe mendore. Pikërisht ky kompleksitet i sportit kontribuon që skermistët edhe më tej në jetë kur të ndalojnë me këtë sport të jenë këmbëngulës, luftarak, të qëndrojnë në rrugën e duhur dhe të mos dorëzohen deri në momentin e fundit", thotë Kuzmanovska.

Si bëhesh skermist?

Kuzmanovska, skermiste tashmë prej shumë kohësh, zbuloi se duhet një vit përgatitje për të marrë skermën në duar.

"Ne punojmë në zhvillimin e aftësive motorike (të mëdha dhe të vogla), veçanërisht me grupe më të vogla, duke ruajtur fokusin, koordinimin. Koordinimi ynë është syri, krahu, këmbët dhe është më i ndërlikuar", shprehet Kuzmanovska.

Ajo shpjegon se fillimisht bëjnë përgatitje të përgjithshme fizike, me çka përgatitet trupi për skermë dhe më pas kalojnë në hapat e tjera me trajnerin dhe kalojnë në ndeshje.

"Duhet të ketë shpejtësi, eksplozivitet, shkathtësi, sepse proceset eksploruese janë shumë të rëndësishme për skermën, të ruhet fokusi, përqendrimi, që të mos largohemi nga pjesët kritike të garës", shpjegon Kuzmanovska.

Ka rregulla, por nuk ka kufizime

Me skermën, Kuzmanovska u njoh në vitin 1986 dhe që atëherë me shpatën në brez ajo është përballur me të gjitha sfidat dhe stereotipat e vendosura nga rrethi i saj.

"Kam kuptuar se vetëm me cilësi mund të imponohem edhe me diçka tjetër dhe kjo është e vetmja mënyrë e duhur që femrat të zënë vend në jetën sportive", shprehet ajo.

Kuzmanovska thekson se ajo është një nga 23 trajnerët nga e gjithë bota që ka marrë trajnime për sport në Qendrën Olimpike të Komitetit Olimpik Amerikan në Kolorada Springs në SHBA.

Në vitet që pasuan, ajo dëshmoi se skerma i tejkalon të gjitha pengesat. Ajo thotë se është një sport krejtësisht i sigurt, portat e të cilit janë të hapura për të gjithë.

"Kemi vendosur të punojmë me fëmijët me sindromën Down në baza vullnetare, deri në pandemi kemi punuar me fëmijët me sindromën Down, kemi mbajtur trajnime në këtë sallë dhe ka qenë një dashuri e veçantë. Krenaria jonë të punojmë me ata fëmijë për t’i bërë të lumtur ishte e madhe", thotë Kuzmanovska.

Nga Shkupi në Budapest

Përpjekjet e Kuzmanovskës për të transferuar njohuritë tek gjeneratat e reja kanë rezultuar në disa suksese në nivel ndërkombëtar. Nxënësit e saj fitojnë çmime në kampionate ndërkombëtare, por edhe "matin forcat" jashtë vendit.

"Si klub që luajmë në shumë ndeshje të rëndësishme jashtë vendit, mund të jem krenare. Rezultati më i fundit dhe më i mirë është Matej Todorovski që fitoi në garën ‘Grand Prix’ në Budapest, në konkurrencën e 165 garuesve. Ai fitoi vendin e 14-të", njofton ajo.

Sipas Kuzmanovskës, takimi me skermën ishte dashuri në shikim të parë, që tani siç thotë ajo, do të thotë jetë. Një kënaqësi të veçantë për këtë sportiste është ndryshimi i perceptimit se skerma nuk është vetëm një botë burrash dhe aq më pak një sport i vrazhdë, por është një sport që i bashkon njerëzit, mbart një mesazh vetëmohimi, përgjegjësie dhe ndershmërie.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın