Besar Ademi
18 Gusht 2017•Përditësim: 18 Gusht 2017
SHKUP (AA) – Pas përfundimit të ndeshjes së xhiros së parë të fazës “play-off” të UEFA Europa League mes skuadrës maqedonase Vardar dhe asaj turke Fenerbahçe, trajnerët e dy skuadrave të futbollit në një konferencë për media treguan përshtypjet e tyre të ndeshjes, e cila u zhvillua në stadiumin “Filipi i dytë" në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Trajneri i skuadrës Vardar, Çedomir Janevski, tha se rezultati është i mirë kundër një skuadre të tillë si Fenerbahçe, e cila ka një përvojë në garat evropiane.
“Rezultati është i mirë për ne kundër një skuadre e cila zotëronte topin. Patëm probleme në gjysmën e parë, sidomos në mbrojtje dhe ajo duhet zhdukur në ndeshjen e dytë në Stamboll. Dua t’i përgëzoj lojtarët dhe tifozët. Ne luajtëm me zemër dhe fati na shërbeu, të dy golat ishin nga gabimet e tyre”, deklaroi Janevski.
Ai theksoi se rezultati i ndeshjes së sotme i skuadrës së tij i ka dhënë një energji pozitive, por shtoi se puna ende nuk ka përfunduar.
Ndërkaq, trajneri i skuadrës Fenerbahçe, Aykut Kocaman, tha se edhe pse ky rezultat ua vështirëson për të kaluar këtë xhiro të fazës “play-off”, tani mbetet që skuadra e tij të përgatitet psiqikisht që të arrijë fitore në ndeshjen e kthimit.

“Duke u bazuar në rezultatin mund të them vetëm diçka se tani më shumë e vështirësuam punën. Nga minuta e parë deri në të fundit kemi luajtur siç duhet. Kemi pasur gjithsej 16-17 goditje dhe 7 pozicione për të shënuar gol, ndërsa kundërshtari ynë nuk pati gati asnjë moment për të shënuar. Megjithatë, të dy mundësitë për të shënuar gol ata arritën në këtë rezultat”, deklaroi Kocaman.
Ndeshja e parë kualifikuese e xhiros së parë “play-off” mes Vardarit dhe Fenerbahçes u luajt në stadiumin “Filipi i dytë” në Shkup, ndërsa ndeshja e kthimit do të luhet në Turqi më datë 24 të këtij muaji.