Gjokoviq humb shansin për të luajtur në Australian Open pasi gjykata miratoi deportimin e tij
Gjykata Federale vendosi njëzëri kundër Novak Gjokoviqit, pasi dëgjoi rastin e tij

Ankara
Tenisti serb Novak Gjokoviq humbi shansin për të luajtur në Australian Open pasi gjykata australiane hodhi poshtë ankesën e tij kundër urdhrit të dëbimit, sipas mediave lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjykata Federale me një panel prej tre gjyqtarësh vendosi njëzëri kundër Gjokoviqit sot, pasi dëgjoi rastin e tij, sipas ABC News australiane.
Gjokoviq u ndalua të shtunën pasi zyrtarët australianë ia anuluan vizën për herë të dytë.
Ministri i Emigracionit Alex Hawke tha të premten: "Sot ushtrova autoritetin tim sipas nenit 133C(3) të Aktit të Migracionit për të anuluar vizën që posedon z. Novak Gjokoviq për arsye shëndetësore dhe të rendit, duke u bazuar se kjo është në interesin publik".
Më 4 janar, Gjokoviq tha se kishte marrë një përjashtim mjekësor nga vaksinimi për koronavirusin, por pas mbërritjes së tij, Forca Kufitare Australiane ia anuloi vizën për mospërmbushjen e kërkesës së hyrjes për COVID-19.
Pasi u dërgua në një hotel të imigracionit në Melburn, gjykata federale urdhëroi lirimin e tij.
Australia kërkon nga të gjithë lojtarët që të vaksinohen plotësisht kundër COVID-19 për të marrë pjesë në turneun e parë të madh të tenisit të këtij viti.
Gjokoviq u përfshi të enjten në shortin zyrtar të turneut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.