Dilara Hamit
06 gusht 2026•Përditësim: 06 gusht 2026
Futbollisti i kombëtares së Ugandës dhe kapiteni i SC Villa, David Owori, ka ndërruar jetë pasi u sulmua nga persona të paidentifikuar në kryeqytetin Kampala, konfirmuan klubi i tij dhe Federata e Futbollit e Ugandës, transmeton Anadolu.
Mesfushori 27-vjeçar u sulmua pranë shtëpisë së tij në fillim të kësaj jave dhe u dërgua në spital në gjendje kritike. Sipas SC Villa, ai më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve, pavarësisht përpjekjeve për t’ia shpëtuar jetën.
Klubi u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit që të identifikojnë, arrestojnë dhe ndjekin penalisht autorët.
“Ky akt i pakuptimtë i ka marrë klubit dhe vendit një kapiten të përkushtuar dhe një sportist premtues”, thuhet në reagimin e klubit, i cili shtoi se do ta mbështesë familjen e Oworit dhe do të organizojë një ceremoni të denjë lamtumire për lojtarin.
Edhe Federata e Futbollit e Ugandës (FUFA) i bëri homazhe Oworit, duke e cilësuar si një lider që frymëzoi një brez. “Davidi nuk ishte vetëm futbollist. Ai ishte një lider dhe frymëzim për një brez”, tha presidenti i FUFA-s, Moses Magogo.
“Si kapiten i SC Villas, ai udhëhoqi me guxim, përulësi dhe pasion. Me fanellën e kombëtares së Ugandës, ai mbajti mbi supe shpresat e një kombi”, shtoi ai.
Owori përfaqësoi kombëtaren e Ugandës dhe ishte pjesë e skuadrës së vendit për Kupën e Kombeve të Afrikës 2025. Parlamenti i Ugandës ka kërkuar hetim të plotë për vrasjen.
Nënkryetari i Parlamentit, Thomas Tayebwa, i kërkoi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të sigurisë të zbardhin rrethanat e sulmit dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë. Ai tha se autoritetet duhet të shqyrtojnë edhe shqetësimet më të gjera lidhur me sulmet e dhunshme në vend.
SC Villa tha se vdekja e Oworit po vajtohet në mbarë komunitetin e futbollit në Ugandë dhe e përshkroi atë si një lojtar, lider dhe shërbëtor të vyer të sportit.