Sport

FIFA me teknologji të re për pozicionet jashtë loje në Kupën e Botës

FIFA do të prezantojë teknologjinë e saj të re për të përmirësuar pozitat jashtë loje në Kupën e Botës "Katar 2022", duke përdorur një sistem kamerash i cili do të gjurmojë gjymtyrët e lojtarëve

Ekip   | 01.07.2022
FIFA me teknologji të re për pozicionet jashtë loje në Kupën e Botës

Gjenevë

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) do të prezantojë teknologjinë e saj të re për të përmirësuar pozitat jashtë loje në Kupën e Botës "Katar 2022", duke përdorur një sistem kamerash i cili do të gjurmojë gjymtyrët e lojtarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

FIFA njoftoi sot se është gati të lançojë teknologjinë gjysmë automatike të "offside" (SAOT, e cila përdor kamera të shumta për të gjurmuar lëvizjet e lojtarëve si dhe sensorin në top dhe do të shfaqë shpejt imazhe 3D në ekranet e stadiumit në turne për të ndihmuar tifozët të kuptojnë fishkëllimën e arbitrit.

Kjo është Kupa e Botës e tretë radhazi që FIFA prezanton teknologji të re për të ndihmuar gjyqtarët.

Teknologjia e përcaktimit të golave, apo vija e golit, ​​ishte gati për Botërorin 2014 në Brazil pas një gabimi famëkeq arbitrimi në vitin 2010. Në vitin 2018, në Rusi u implementua rishikimi i videove për të ndihmuar gjyqtarët të gjykojnë incidentet që ndryshojnë lojën.

Sistemi i ri për pozitë jashtë loje premton vendime më të shpejta dhe më të sakta sesa merren aktualisht me sistemin VAR edhe pse Kupa e Botës 2018 shmangi gabime të mëdha të pozitave jashtë loje.

Çdo stadium në Katar do të ketë 12 kamera nën çati të sinkronizuara për të gjurmuar 29 pika të dhënash në trupin e secilit lojtar 50 herë në sekondë. Të dhënat përpunohen me inteligjencë artificiale për të krijuar një linjë jashtë loje 3D që i sinjalizohet ekipit të zyrtarëve të VAR-it.

Sensori në top gjurmon shpejtësinë e tij dhe jep pikën e sakt të goditjes, në momentin e pasimit vendimtar, për t'u lidhur me të dhënat e vijës të pozitës jashtë loje, tha drejtori i inovacionit të FIFA-s, Johannes Holzmüller në një konferencë online.

Goditja e lojtarit të kombëtares angleze Frank Lampard që kaloi vijën e golit të Gjermanisë në vitin 2010, por nuk u pranua si gol pothuajse menjëherë i dha fund hezitimit të presidentit të atëhershëm Sepp Blatter për t'u ofruar gjyqtarëve ndihma teknologjike.

Më vonë po atë ditë në Afrikën e Jugut, një pozitë qartësisht e pasaktë jashtë loje, i mundësoi Carlos Tevezit të shënonte golin e parë të Argjentinës në fitoren 3:1 ndaj Meksikës në të tetën e finales.

Në vitin 2014, Bosnjë e Hercegovina nuk arriti të kualifikohet në grupin e saj në Kupën e parë të Botës, pasi goli i Edin Xhekos kundër Nigerisë u gjykua gabimisht si pozicion jashtë loje. Nigeria fitoi 1:0.

Brenda disa sekondave pas një pozicioni të mundshëm jashtë loje, një anëtar specialist i ekipit VAR mund të kontrollojë manualisht linjën e krijuar nga të dhënat midis sulmuesit dhe mbrojtësit dhe pikën e goditjes së pasimit, tha Holzmüller.

Pastaj i mbetet zyrtarit të lartë të VAR-it të njoftojë arbitrin e ndeshjes për vendimin e duhur përmes lidhjes së tyre audio. Kjo duhet të zgjasë nga 20 në 25 sekonda krahasuar me një mesatare prej 70 sekondash aktualisht për një pozitë komplekse jashtë loje.

"Ndonjëherë kohëzgjatja e kontrolleve të rishikimeve është padyshim shumë e gjatë", tha Pierluigi Collina, ish-arbitri i famshëm dhe tani drejtues i programit të arbitrave të FIFA-s, duke pranuar se vonesat dëmtojnë rrjedhën e lojërave "për (zyrtarët e VAR-it) koha ikën, por për pjesën tjetër - për trajnerët, lojtarët dhe spektatorët është krejtësisht ndryshe".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.