Sport

FIBA 2019, Argjentina eliminon Serbinë dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Argjentina triumfoi ndaj Serbisë me rezultat 97-87 duke avancuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror të basketbollit

Can Erözden   | 10.09.2019
FIBA 2019, Argjentina eliminon Serbinë dhe kualifikohet në gjysmëfinale

Ankara

Argjentina ka triumfuar ndaj Serbisë me rezultat 97-87 duke avancuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror të basketbollit FIBA 2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Argjentina rezervoi vendin e saj në mesin e katër kombëtareve të fundit në Kampionatin Botëror, duke eliminuar Serbinë, njërën prej favoritëve në këtë garë.

Basketbollisti 39-vjeçar Luis Scola, ishte njëri prej lojtarëve kyç për fitoren e argjentinasve kundër Serbisë në qendrën Dongguan në Kinë.

Scola, basketbollisti më i moshuar në kombëtaren argjentinase, shënoi 20 pikë.

Basketbollisti argjentinas që luan për klubin Real Madrid, Facundo Campazzo, ishte gjithashtu në formë duke shënuar 18 pikë dhe duke bërë 12 asistime. Campazzo gjithashtu shënoi 6 kërcime dhe tre herë ua morri topin kundërshtarëve.

Një tjetër basketbollist argjentinas i Real Madridit, Gabriel Deck, shënoi 13 pikë dhe 8 kërcime.

Ylli i kombëtare serbe, Bogdan Bogdanoviç, kishte paraqitje të mirë kundër Argjentinës, por nuk arriti të shmangë humbjen. Basketbollisti i Sacramento Kings shënoi 21 pikë.

Bashkëlojtari i tij, Nemanja Bjelica, shënoi 18 pikë dhe 7 kërcime.

Një tjetër basketbollist i Serbisë, Nikola Jokiç, shënoi 16 pikë, 10 kërcime dhe bëri pesë asistime.

Argjentina në gjysmëfinalen e së premtes do të ketë përballë fituesin e ndeshjes SHBA-Francë.

Pasi u eliminua nga Kampionati Botëror, Serbia do të luajë ndeshje për klasifikim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.