Sport

Angelina Buleska, e vetmja në Ballkan që ushtron disiplinën gjimnastikë mbi kalë

Edhe pse në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë klub ku mund të ushtrosh disiplinën e kërcimit mbi kalë, kjo nuk e pengon 13-vjeçaren Angelina Buleska të merret me këtë sport, e cila në bisedën me AA rrëfen sfidën për të arritur ëndrrën e saj

21.05.2022 - Përdıtësım : 23.05.2022
Angelina Buleska, e vetmja në Ballkan që ushtron disiplinën gjimnastikë mbi kalë

Shkup

Edıta Zekjırovıkj

Disiplina e kalërimit në kategorinë e kërcimit ose gjimnastika mbi kalë është një nga sportet më spektakolare ku përveç aftësisë dhe përkushtimit të vetë sportistit, në veçanti bie në sy edhe lidhja harmonike e ndërtuar në mënyrë të përkryer midis njeriut dhe kafshës si ekip.

Ky sport u shfaq në periudhën kur u zhvilluan Lojërat Romake rreth 2 mijë vjet më parë dhe popullariteti i saj në mesin e kalorësve deri më sot nuk është zvogëluar.

Edhe pse në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë klub ku mund të ushtrosh disiplinën e kërcimit mbi kalë, kjo nuk e pengon 13-vjeçaren Angelina Buleska të merret me këtë sport, e cila në bisedën me Anadolu Agency (AA) rrëfen sfidën për të arritur ëndrrën e saj.

“Jam Angelina Buleska. Jam e vetmja në Ballkan që ushtron kërcimin (mbi kalë)", thotë Buleska.

- Si ushtron dhe ku?

Buleska bie në dashuri me kuajt në moshën 3-vjeçare, dashurinë për ta e drejton kah kërcimi, ndërsa kërkimin për përsosmëri e çon përtej kufijve të vendit.

“Në Maqedoni mund të praktikoj vetëm elemente të gjimnastikës dhe të praktikoj ushtrime për fuqi që të jetë më e lehtë për mua të kalëroj dhe që ushtrimet mbi kalë të mund t’i bëj më mirë kur të shkoj në Holandë”, shprehet Buleska.

Ajo ka pesë vite që trajnimet e saj i realizon në "De Wittegheit" në Holandë dhe e udhëhequr nga trajnerja Meta Jans, më 22 prill përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në “CVI Grote-Brogel” në Peer të Belgjikës.

“Kur stërvitem në Holandë, fillimisht stërvitem në një bucelë, që është një kalë prej druri dhe statik. Fillimisht stërvitem me të, pastaj stërvitem pak në tokë për zgjatje. Shkoj ta përgatis kalin, pastroj dhe vendos shalën dhe më pas trajnerja e përgatit kalin derisa unë bëj zgjatje dhe vrap. Pastaj stërvitem mbi kalë”, shpjegon Buleska.

- Motivim për sportistët e rinj

Siç thotë Buleska, kërcënimi mbi kalë mund të praktikohet individualisht ose në grup, ai që bënë gjimnastikë mbi kalë ose kërcim duhet të krijojë ekuilibër, ritëm dhe koordinim si dhe gjithashtu është e rëndësishme që të ketë vetëbesim gjatë ushtrimeve mbi kalë.

“Për mua ishte më interesante kur më duhej të praktikoja për një orë rrëzimin, u trondita kur më duhej ta mësoja si të bie nga kali, sepse gjithmonë ndodhë që të rrëshqasësh, të biesh ose kali të ndalojë, por është në rregull, nëse bie do të ngjitesh përsëri”, tha ajo.

Këmbëngulja e saj dëshiron Buleska të jetë shembull për të rinjtë që po përballen me vështirësi në botën e sportit, duke dërguar një mesazh se asgjë nuk është e pamundur, nëse e dëshiron vërtet.

“Nëse dëshiron t’i përkushtohesh një sporti dhe nëse ai vërtet do të thotë diçka për ty, duhet t’i përkushtohesh sa të mundesh dhe të punosh sa më shumë që të arrish rezultat”, shprehet Buleska.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın