Dejan Maksimoviç
27 Mars 2018•Përditësim: 27 Mars 2018
TORINO (AA) - Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri nuk mendon aspak të largohet nga kampioni i gjashtëfishtë i kampionatit italian, edhe pse sipas pretendimeve mediale për të janë shumë të interesuar Arsenali dhe Paris Saint-Germain, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përgjigjja e Allegrit ndaj spekulimeve mediale ishte se ka kontratë deri në vitin 2020 dhe se është i lumtur në Torino.
Trajnerit të Arsenalit, Arsene Wenger dhe atij të PSG-së, Unai Emery, këtë sezon nuk po u ecën mbarë. Skuadra londineze është larg nga katër vendet e para në Premier Ligën Angleze, të cilat çojnë në Ligën e Kampionëve.
Arsenali u eliminua nga Kupa e FA-së, u mposht në finalene Kupës së ligës dhe tani ka mbetur vetëm Evropa Ligë ku do të përpiqet për të shpëtuar sezonin.
Kur është fjala për "shenjtorët" e Parisit, ata janë pranë titullit kampion i Francës, në finalen e Kupës së Ligës do të përballen me Monacon ndërsa për Kupën janë në gjysmëfinale. Megjithatë, eliminimin nga Real Madridi në të tetën e finales në Ligën e Kampionëve e shohin si një problem të madh për Emery.
"Çdo gjë varet nga rezultati. Nëse fitoni atëherë jeni të mirë, por nëse humbni atëherë jeni më pak të mirë. Megjithatë, unë kam kontratë me Juventusin deri në vitin 2020 dhe jam i lumtur këtu", ka thënë Allegri për mediat italiane.
Allegri në stolin e Juventusit u ul në vitin 2014, dhe që atëherë ka fituar nga tre tituj të kampionëve dhe Kupës të Italisë, një Superkupë dhe dy herë ka luajtur në finalet e Ligës së Kampionëve. Më parë ai udhëhoqi ekipet si Aglianese, SPAL, Grosseto, Sassuolo, Cagliari dhe Milan.