Beril Çanakcı
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Një ekip ndërkombëtar paleontologësh ka identifikuar një specie të re dinosauri në Zimbabve, që daton rreth 210 milionë vjet më parë ndërsa studiuesit thanë se zbulimi ofron njohuri të reja mbi evolucionin e hershëm të dinosaurëve në Afrikën Jugore, transmeton Anadolu.
Specia "Musango matusadonaensis" u përshkrua në revistën "Journal of Systematic Palaeontology", bazuar në mbetjet fosile të zbuluara në vitin 2018 përgjatë brigjeve të Liqenit Kariba në veri të Zimbabves.
Kjo është vetëm specia e pestë e dinosaurit e identifikuar zyrtarisht në këtë vend.
Dinosauri me gjatësi rreth 4,5 metra jetoi gjatë periudhës së Triasikut të Vonë, kur dinosaurët po përhapeshin në planet, por ende nuk ishin bërë kafshët mbizotëruese në tokë. Studiuesit e identifikuan atë si një sauropodomorf të hershëm, një paraardhës dykëmbësh i dinosaurëve gjigantë me qafë të gjatë që evoluan miliona vjet më vonë, përfshirë Diplodocus.
Fosili i zbuluar nga një ekip shkencëtarësh britanikë, zimbabveanë dhe afrikanojugorë, është një nga skeletet më të plota të dinosaurëve të kësaj periudhe të gjetura në Zimbabve, duke ruajtur pjesë të shtyllës kurrizore, brinjëve, gjymtyrëve dhe këmbëve.
Analizat sugjerojnë se kafsha ishte pothuajse plotësisht e rritur kur ngordhi dhe se më herët gjatë jetës kishte mbijetuar një dëmtimi ose infeksioni serioz.
Autori kryesor i studimit, Paul Barrett, studiues në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër, tha se zbulimi sfidon supozimin e kahershëm se dinosaurët që jetonin në të gjithë Afrikën Jugore i përkisnin komuniteteve përgjithësisht të ngjashme. Në vend të kësaj, gjetjet sugjerojnë se rajoni përbëhej nga disa ekosisteme të dallueshme, secili me specie të ndryshme dinosaurësh.
Studiuesit thanë se ky zbulim së bashku me gjetjet e tjera të fundit fosile në Zimbabve, tregon se dihet ende shumë pak për të kaluarën parahistorike të Afrikës dhe sugjeron se shumë specie të tjera dinosaurësh mund të presin ende të zbulohen.