Gülseli Kenarlı
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Pylli më i madh koralor i regjistruar ndonjëherë në Detin Egje është zbuluar në ujërat territoriale të Turqisë, mes ishullit Gokçeada dhe ishullit grek Samothraki, gjatë një ekspedite kërkimore të zhvilluar nga Fondacioni Turk për Kërkime Detare (TUDAV).
Hulumtimi, i mbështetur nga Banka e Punës së Turqisë (Turkiye Is Bankasi), u krye në bordin e anijes kërkimore R/V TUDAV-Maru duke përdorur mjete nënujore të telekomanduara (ROV) dhe sisteme të imazherisë nënujore.
Duke folur për Anadolu, presidenti i TUDAV-it, Bayram Ozturk tha se ekipi zbuloi një pyll të madh koralor në zonën mes Gokceadas dhe Samothrakit, ekzistenca e të cilit nuk ishte e njohur më parë.
Ozturk tha se komunitetet e koraleve fillojnë në një thellësi prej rreth 70 metrash dhe shtrihen deri në 120 metra, duke shtuar se zona ka biodiversitet të pasur dhe depozitime të konsiderueshme të karbonatit të kalciumit.
"Sa dimë ne, asnjë pyll koralor i kësaj përmase nuk ishte zbuluar më parë në Detin Egje, as në anën turke dhe as në atë greke", tha ai.
Gjithashtu ai theksoi se pylli koralor fillon rreth dy milje detare larg bregut dhe shtrihet për më shumë se dy kilometra, duke shtuar se gjetjet fillestare sugjerojnë se ai mund të vazhdojë edhe në zona më të thella dhe në ujërat ndërkombëtare.
Ai tha se në zonë janë vërejtur gjithashtu çarje nënujore, si dhe dalje uji dhe gazi, ndërsa kërkime të mëtejshme do të kryhen për të përcaktuar lidhjen e tyre me komunitetet koralore dhe depozitimet e karbonatit të kalciumit.
"Zona që kemi zbuluar ndodhet aktualisht brenda ujërave territoriale të Turqisë, por ende nuk kemi mundur të përcaktojmë plotësisht kufijtë e pyllit koralor. Ai mund të shtrihet deri në thellësi prej 200 deri në 300 metrash. Anija jonë kërkimore vazhdon punën në këtë zonë", tha ai.