Firdevs Bulut Kartal
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Avioni luftarak pa pilot Bayraktar KIZILELMA, i zhvilluar në mënyrë kombëtare dhe origjinale nga Baykar, përfundoi me sukses testet e para të qitjes nga ndarja e brendshme e municionit, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi me shkrim të Baykar-it, puna për zhvillimin e KIZILELMA-s dhe integrimin e aftësive të reja po vazhdon në Qendrën e Trajnimit të Fluturimit dhe Testimit në Çorlu të provincës Tekirdag.
Në kuadër të këtyre punimeve, modeli i prodhimit serik me numër bishti S2 i KIZILELMA-s kreu më 25 korrik qitje me municionin TEBER-82 të prodhuar nga ROKETSAN, të vendosur në stacionin e brendshëm të armëve. Më 28 korrik, KIZILELMA lëshoi nga ndarja e saj e brendshme edhe municionin TOLUN, të zhvilluar nga ASELSAN.
Pasi u ngrit nga Çorlu dhe u drejtua drejt zonës së objektivit, KIZILELMA goditi me saktësi të plotë objektivat e përcaktuara në të dy testet. Me këto testime, u zhvillua më tej aftësia e KIZILELMA-s për të kryer sulme precize duke ruajtur dukshmërinë e ulët në radar.
- Ndarja e brendshme e municionit zvogëlon gjurmën në radar
Falë ndarjes së brendshme të municionit, e cila mundëson transportimin e armëve brenda trupit të avionit, KIZILELMA mund të ruajë dukshmërinë e ulët në radar. Kjo strukturë jo vetëm që zvogëlon gjurmën radarike të avionit, por gjithashtu kontribuon në ruajtjen e shpejtësisë së lartë dhe efikasitetit aerodinamik.
KIZILELMA ka përfunduar më herët edhe testet e qitjes me raketën "ajër-ajër" GOKDOGAN si dhe me municionet TOLUN, TEBER-82, KGK, LGK-82 dhe raketën supersonike JET-230. Me këto aftësi synohet që ai të mund të kryejë misione strategjike me municione vendore në zona ku sistemet e mbrojtjes ajrore janë të përqendruara.
- Kishte realizuar fluturim autonom në formacion
Prototipet PT3 dhe PT5 të KIZILELMA-s realizuan më 27 dhjetor 2025 fluturim autonom në formacion të afërt, duke vepruar në mënyrë të koordinuar përmes algoritmeve të autonomisë inteligjente të flotës të zhvilluara nga Baykar.
Në testin e zhvilluar më 29 nëntor 2025 në brigjet e Sinopit, KIZILELMA goditi një avion objektiv me motor reaktiv, të identifikuar nga radari MURAD AESA i prodhuar nga ASELSAN, duke përdorur raketën ajër-ajër me rreze përtej shikimit GOKDOGAN, të zhvilluar nga TUBITAK SAGE.
- Marrëveshjet e eksportit të Baykar-it
Sipas njoftimit, Baykar realizoi eksporte në vlerë prej 2,2 miliardë dollarësh gjatë vitit 2025 ndërsa në vitet e fundit 90 për qind e të ardhurave të kompanisë janë siguruar nga eksportet.
Baykar ka nënshkruar marrëveshje eksporti me gjithsej 39 vende, përkatësisht me 36 vende për Bayraktar TB2 dhe me 16 vende për AKINCI.
Duke u renditur ndër 10 kompanitë me eksportet më të larta në të gjithë sektorët në Turqi gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, Baykar u shpërblye me çmimin "Kampionët e Eksportit". Sipas të dhënave të Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes dhe Asamblesë së Eksportuesve të Turqisë (TIM), kompania ishte lider i eksporteve në sektorin e mbrojtjes dhe aviacionit gjatë viteve 2021, 2022, 2023 dhe 2024.