Mehmet Kadir Kılınç
21 korrik 2026•Përditësim: 21 korrik 2026
Fondacioni Sabri Ulker i Turqisë, me seli në Stamboll, ka nisur një partneritet afatgjatë kërkimor për të avancuar studimet mbi shëndetin e fëmijëve dhe për të trajnuar shkencëtarë të rinj, raporton Anadolu.
Programi katërvjeçar, i realizuar në bashkëpunim me Universitetin Newcastle në Britani dhe Universitetin Hacettepe, me seli në kryeqytetin turk Ankara, do të mbështesë tre studiues doktorature dhe do të zhvillojë studime krahasuese në Turqi dhe Britani të Madhe mbi ushqyerjen, aktivitetin fizik, shëndetin metabolik, performancën njohëse dhe mirëqenien mendore te fëmijët e moshës shkollore.
Programi do të përfshijë gjithashtu shkëmbime të studiuesve, programe të përbashkëta trajnimi dhe simpoziume shkencore vjetore që do të organizohen me radhë në të dy vendet.
"Ky partneritet do të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm shkencor, në të cilin studiues nga vende të ndryshme do të punojnë së bashku, do të prodhojnë njohuri, do të ndajnë përvojën dhe do të trajnojnë udhëheqësit e ardhshëm të kërkimit shkencor", tha Yahya Ulker, kryetar i fondacionit.
Bernard Corfe, profesor i ushqyerjes dhe shëndetit të njeriut në Universitetin Newcastle, tha se sfidat globale në fushën e shëndetit kërkojnë partneritete shkencore ndërkombëtare dhe ndërdisiplinore.