Shëndetësi

Lia e majmunit shpallet emergjencë e shëndetit publik në SHBA me mbi 6.600 raste

“Virusi po ecën me shpejtësi”, tha Koordinatori Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë për Reagimin Ndaj Lisë së Majmunit, Robert Fenton

Ekip   | 05.08.2022
Lia e majmunit shpallet emergjencë e shëndetit publik në SHBA me mbi 6.600 raste

Houston

Përhapja e lisë së majmunit në SHBA është rritur në më shumë se 6.600 raste të konfirmuara, duke bërë që administrata e presidentit Joe Biden të marrë masa, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Unë do të shpall emergjencë të shëndetit publik për linë e majmunit”, tha Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) Xavier Becerra në një konferencë telefonike për shtyp.

“Do të bëjmë atë që besojmë se është e nevojshme”, shtoi ai.

Becerra tha se SHBA-ja është në gjendje të testojë 80.000 njerëz në javë për linë e majmunit dhe zyrtarët shëndetësorë inkurajojnë mjekët dhe klinikat të promovojnë testimin.

“Virusi po ecën me shpejtësi”, tha Koordinatori Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë për Reagimin Ndaj Lisë së Majmunit, Robert Fenton.

“(Lia e majmunit) përhapet më shpejt se shpërthimet e mëparshme”, theksoi Fenton.

Përhapja u shpall gjendje e jashtëzakonshme të hënën në New York pasi ky shtet përbën gati 25 për qind të të gjitha rasteve në SHBA. Kalifornia dhe Illinois shpallën gjendje emergjente të hënën për shkak të rritjeve të konsiderueshme të infeksioneve në ato shtete.

Por shpallja në nivel federal do t’i hapë rrugën të gjitha shteteve që të kenë qasje në fondet e emergjencës për të luftuar dhe frenuar virusin.

Gjendja emergjente gjithashtu do t’i mundësojë qeverisë federale të mbledhë të dhëna mbarëkombëtare për rastet dhe vaksinimet, të përshpejtojë shpërndarjen e vaksinave dhe ta bëjë më të lehtë për mjekët administrimin e trajtimit për virusin.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli linë e majmunit emergjencë shëndetësore globale më 23 korrik, që është përcaktimi më i lartë për pandemitë më serioze, siç është pandemia globale e koronavirusit.

Më shumë se 26.000 raste të konfirmuara të lisë së majmunit në mbarë botën janë raportuar në vitin 2022 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

CDC ka thënë se lia e majmunit përhapet kryesisht përmes kontaktit seksual mashkull me mashkull, por virusi mund të përhapet edhe përmes kontaktit lëkurë me lëkurë, si dhe përmes ndarjes së veshjeve, shtratit dhe peshqirëve.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë një skuqje të lëkurës, e cila raportohet në 99 për qind të rasteve në SHBA, sëmundje, ethe dhe ënjtje të nyjave limfatike. Simptoma të tjera përfshijnë të dridhura, dhimbje koke dhe dhimbje muskulore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın