Beril Çanakcı
27 korrik 2026•Përditësim: 27 korrik 2026
Gratë e moshuara që kufizuan marrjen e ushqimit në ditë në rreth 8 ose 9 orë treguan përmirësime të moderuara në disa aftësi të të menduarit krahasuar me ato që ushqeheshin gjatë një periudhe më të gjatë, edhe pse të dy grupet humbën peshë në mënyrë të ngjashme, sipas rezultateve paraprake të një studimi të vogël klinik në SHBA, transmeton Anadolu.
Studiuesit në Universitetin Rutgers përfshinë 47 gra të moshës 50 deri në 79-vjeç, me mbipeshë ose obezitet, në një program 6-mujor për humbje peshe.
Të gjitha pjesëmarrëset morën këshillime për të reduktuar rreth 500 kalori nga dieta e tyre ditore.
Njëzet e gjashtë prej tyre u udhëzuan gjithashtu të hanin vetëm brenda një periudhe më pak se 9-orëshe çdo ditë, zakonisht nga ora 10:00 deri në 18:00. Periudha mesatare e ushqyerjes për to ishte 8,2 orë.
Gratë e tjera vazhduan me një orar më tradicional, me një periudhë mesatare ushqyerjeje prej 12,3 orësh.
Pas 6 muajsh, të dy grupet kishin humbur mesatarisht rreth 7 kilogramë peshë.
Gratë në grupin me periudhë më të shkurtër ushqyerjeje dolën dukshëm më mirë në testet e planifikimit hapësinor dhe zgjidhjes së problemeve. Ato kishin tendencë të bënin më pak gabime në vlerësimet e kujtesës dhe të të mësuarit, megjithëse ky ndryshim nuk arriti nivelin e rëndësisë statistikore. Nuk u vunë re dallime të qarta në matjet e kohës së reagimit apo aftësisë për të kryer disa detyra njëkohësisht.
"Humbja e peshës në vetvete do të ndihmojë në parandalimin e një pjese të rënies së aftësive njohëse të lidhur me plakjen, dhe këto të dhëna sugjerojnë se mund të ketë përfitime shtesë nëse ndaloni së ngrëni 4 orë para gjumit dhe reduktoni marrjen e ushqimit në 8-9 orë në ditë, krahasuar me periudhën e zakonshme të ushqyerjes prej 12 orësh në ditë", tha Sue Shapses, profesoreshë e shkencave ushqimore në Universitetin "Rutgers" dhe hulumtuesja kryesore e studimit.
Shapses e përshkroi ndikimin në aftësitë njohëse si modest dhe vuri në dukje se periudhat më të shkurtra të ushqyerjes parashikuan përmirësime më të mëdha.
Gjetjet u prezantuan në "Nutrition 2026", takimi vjetor i Shoqatës Amerikane për Ushqyerjen.