Shëndetësi

Britania nuk përjashton zbatimin e një bllokimi të dytë kombëtar

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Hancock, nuk ka përjashtuar mundësinë e një bllokimi të dytë kombëtar përderisa rastet me COVID-19 vazhdojnë të shënojnë rritje

Ekip   | 18.09.2020
Britania nuk përjashton zbatimin e një bllokimi të dytë kombëtar

Londër

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, nuk ka përjashtuar mundësinë e një bllokimi të dytë kombëtar përderisa rastet e koronavirusit të ri (COVID-19) vazhdojnë të shënojnë rritje në mbarë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për Sky News, Hancock tha se vija fundit e mbrojtjes është një veprim i plotë kombëtar, duke shtuar se nuk dëshiron të ndodhë diçka e tillë, por se do të bëjnë gjithçka të nevojshme për ta mbajtur popullin të sigurtë në një pandemi "shumë të vështirë".

"Nuk është diçka që ne e largojmë nga tryeza, por është diçka që nuk duam ta shohim, është vija e fundit e mbrojtjes. Por, ajo që unë do të thoja është se vendi edhe një herë duhet të bashkohet dhe ta kuptojë se ka një sfidë serioze. Virusi po përshpejtohet. Fatkeqësisht nuk po rriten vetëm rastet, por edhe numri i personave që përfundojnë në spital", tha Hancock.

Financial Times raportoi se këshilltarët shkencorë të qeverisë britanike po këshillojnë qeverinë të zbatojë një bllokim të dytë kombëtar.

Dje, qeveria u detyrua të mohojë se po synon të vendos bllokimin për herë të dytë.

Megjithatë, sot media lokale raportuan se kryeministri Boris Johnson u takua me shefin e mjekësisë, Chris Whitty dhe këshilltarin kryesor shkencor, Sir Patrick Vallance, për të diskutuar rritjen e numrit të rasteve të koronavirusit.

Mediat raportuan se kryeministri po merr në konsideratë një bllokim kombëtar dy-javor në muajin tetor për të ndaluar rritjen e valës së rasteve, si dhe një pushim gjysmë-mujor të tetorit për shkollat për të minimizuar problemet në arsim.

Ky bllokim i "ndërprerjes së qarkut" do të lejojë që shkollat dhe vendet e punës të qëndrojnë të hapura, por me një jetë shoqërore të kufizuar. Një vendim përfundimtar nuk është marrë ende.

Komentet e sekretarit të Shëndetësisë vijnë pasi kufizime të reja lokale u zbatuan në të gjithë Anglinë verilindore. Rreth 10 milionë britanikë aktualisht janë nën një formë të bllokimit lokal.

Jonathan Ashworth, sekretari laburist i Shëndetësisë në Hije, tha se: "Laburistët muaj më parë paralajmëruan se nëse qeveria nuk e kalon verën duke rregulluar regjimin e testimit, atëherë ne do të përballemi me një dimër të zymtë. Qeveria e shpërfilli atë këshillë, regjimi i testimit po shembet dhe kështu nuk është për t'u habitur se kufizimet kombëtare janë përsëri në tryezë".

Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar janë regjistruar gjithsej 381.614 raste të konfirmuara me këtë virus, përfshirë 41.705 vdekje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın