Shëndetësi

Blloku i Afrikës krijon fonde për përgjigje ndaj Ebolës në RD të Kongos

Takimi synon të sigurojë mbështetje materiale dhe financiare për Republikën Demokratike të Kongos që lufton kundër krizës së Ebolës, si dhe për fqinjët e saj

Addis Getachew Tadesse   | 02.12.2019
Blloku i Afrikës krijon fonde për përgjigje ndaj Ebolës në RD të Kongos Foto: AA/Arhiv

Addis Ababa

Komisioni i Unionit Afrikan ka krijuar mbi 53 milionë dollarë fonde në mbështetje të aktiviteteve të reagimit ndaj epidemisë Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe në vendet fqinje në rrezik të importimit të virusit, raporton Anadolu Agency (AA).

Fondi u krijua në Addis Ababa të Etiopisë gjatë një takimi “Afrika kundër Ebolës: Një sektor privat dhe forum i partnerëve”.

Takimi synon të sigurojë mbështetje materiale dhe financiare për Republikën Demokratike të Kongos që lufton kundër krizës së Ebolës, si dhe për fqinjët e saj.

Që nga gushti i vitit 2019 kur u paralajmërua episodi i fundit i shpërthimit, mbi 2 mijë njerëz nga Republika Demokratike e Kongos humbën jetën duke kontraktuar virusin Ebola dhe janë raportuar mbi 3 mijë raste të Ebolës.

Komisionerja e çështjeve sociale e Unionit Afrikan, Amira ElFadil, në një konferencë për media pas krijimit të fondit, pa zbuluar detaje tha se kontribuesi më i madh ishte Bashkimi Evropian (BE). 

Ajo theksoi se po ashtu kishte edhe premtime si për pajisje mjekësore dhe ilaçe, duke e quajtur ngjarjet “një forum shumë të suksesshëm”.

Përfaqësues nga Republika Demokratike e Kongos, përfshirë ministri i Shëndetësisë, ambasadorë rezidentë, përfaqësues të donatorëve, zyrtarë, si dhe sektori privat ishin të pranishëm në ngjarje.

Organizata Botërore e Shëndetit shpalli krizën e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.

Rënie dramatike në krizën e Ebolës

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë i Republikës Demokratike të Kongos, Eteni Longondo, tha se Ebola kohëve të fundit ka shënuar një rënie dramatike.

Sipas tij, shkalla e zbulimit të 25 personave në ditë, aktualisht është reduktuar në 0 deri në 3 persona në ditë. Megjithatë, ai paralajmëroi kundër kërcënimit të vazhdueshëm dhe tregoi mundësinë e përhapjes së virusit në vendet fqinje.

Në fjalën e tij për forumin, Komisioneri i Unionit Afrikan, Moussa Faki Mahamat, dënoi grupet e armatosura që parandalojnë aktivitetet e reagimit ndaj Ebolës.

Qendra e Unionit Afrikan për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (CDC-ja Afrikane) ka siguruar mbikëqyrje dhe diagnostifikim epidemiologjik duke dërguar ekspertë në vend që nga fillimi i krizës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın