Hasan Esen,Abdullah Aşıran
16 Mars 2017•Përditësim: 16 Mars 2017
HAGË (AA) – Fitues i zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura të enjten në Holandë me 33 deputetë të fituar prej gjithsej 150 në Parlament, është Partia Liberale në pushtet (VVD) e kryeministrit aktual Mark Rutte, raporton Anadolu Agency (AA).
Për formim të qeverisë nevojiten 76 ulëse deputeti. E djathta radikale Partia për Liri (PVV) në krye me Geert Wilders me 20 deputet të fituar pozicionohet e dyta.
Pjesëmarrja në zgjedhjet në të cilat morën pjesë 28 parti politike me 1.114 kandidatë, ka qenë 82 për qind. “Pas Brexit-it dhe fitores së Trumpit në SHBA, Holanda i tha 'jo' populizmit të gabuar. Tani fushata ka përfunduar. Duhet të jemi të bashkuar dhe të formojmë Qeveri stabile”, deklaroi Rutte duke folur për rezultatet e zgjedhjeve.

Wilders mospërfillës
Rezultati ishte një zhgënjim i vërtetë për partinë e Geert Wildersit nga ekstremi i djathtë, që kryesonte anketat parazgjedhore, duke fituar vetëm 20 ulëse.
Në zgjedhjet e kaluara PVV kishte 15 ulëse në Parlament, ndërkohë që pas zgjedhjeve të mbrëmshme, lideri i saj u shfaq mospërfillës dhe sfidues.
Në rrjetet sociale ai shkroi se kanë qenë partia e tretë në Holandë, ndërsa nga mbrëmë janë partia e dytë. “Ishim partia e tretë më e madhe në Holandë. Tani jemi partia e dytë më e madhe. Herën tjetër ne do të jetë numri 1!”, shkroi në Twitter.
Demokratët 66 (d66) dhe Partia Kristiane Demokratike (CDA) fituan nga 19 deputetë, ndërsa e Majta e Gjelbër (GL) fitoi 14 deputetë.
Partia Laburiste (PvdA) fitoi nëntë vende deputeti, për dallim nga 38 deputetë të fituar në zgjedhjet e vitit 2012.
Partia DENK, mbrojtës i pakicës muslimane dhe bashkësisë turke e cila për herë të parë doli në zgjedhje fitoi tre deputetë.
Marrëveshja e koalicionit
Rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se asnjë parti nuk mund vetë të formojë Qeveri dhe se nevojitet koalicion i së paku katër partive.
Rezultatet zyrtare do të publikohen më 21 mars, pas çka do të fillojnë negociatat për formimin e koalicionit.
Në vitin 1977, negociatat zgjatën për 208 ditë, ndërsa në vitin 2012, qeveria u formua pas 49 ditësh.