Politikë

Të dielën takim Thaçi-Vuçiç për dialogun Kosovë-Serbi

Thaçi në një deklaratë për mediat tha se ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e së dielës në nivel presidentësh në Bruksel, për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, në mes të Kosovës dhe Serbisë

Sibel Vezaj  | 19.06.2018 - Përdıtësım : 19.06.2018
Të dielën takim Thaçi-Vuçiç për dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë

PRISHTINË (AA) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur se të dielën më 24 qershor në Bruksel me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini do të mbahet takimi për vazhdim të dialogut me homologun tij serb, Aleksander Vuçiç, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi sot në një deklaratë për media në Prishtinë tha se ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e së dielës në nivel presidentësh në Bruksel, për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga Mogherini për të vazhduar dialogun mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për të hapur një kapitull të ri apo intensifikuar procesin e ri të dialogut, atë përfundimtar, të arritjes përfundimtare të marrëveshjes mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Thaçi po ashtu njoftoi se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë takime të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, spektrin politik kosovar, bartësit e institucioneve, shoqërinë civile, mediat dhe njerëzit me ndikim në shoqërinë kosovare në mënyrë që të jenë të përgatitur dhe të ndërtojnë një konsensus sa më të gjerë të mundshëm për këtë çështje.

Ndryshe edhe në uebfaqen zyrtare të BE-së është njoftuar se Mogherini në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE, të dielën do të organizojë një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe atë të Kosovës Hashim Thaçi.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe presidentët do të vazhdojnë punën e tyre në fazën e normalizimit të plotë të dialogut, të marrin në konsideratë marrëveshjet ekzistuese, të informojnë për arritjet e deritashme si dhe të diskutojnë për hapat e ardhshëm, duke pasur parasysh një periudhën intensive përpara”, thuhet në njoftim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.