Politikë

Sullivan: Në rajon Maqedonia lider për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin

Sullivan: SHBA-të mbështesin fuqishëm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do t’i lejojë Maqedonisë të fitojë vendin e saj të ligjshëm në NATO dhe në BE si ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’

Besar Ademi, Admir Fazlagikj  | 18.12.2018 - Përdıtësım : 19.12.2018
Sullivan: Në rajon Maqedonia lider për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, John Sullivan, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, pas takimit me kryeministrin e këtij vendi, Zoran Zaev, ka deklaruar se Maqedonia për angazhimin e saj në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim është lider i këtij rajoni të Evropës Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi të angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore, ndërsa Maqedonia është pjesë kyçe e këtij stabiliteti. Në të vërtetë, ne e shohim Maqedoninë si lider në rajon për angazhimin e saj në paqe, stabilitet dhe bashkëpunim”, deklaroi ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Sullivan, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Zaev.

Sullivan po ashtu përshëndeti lidershipin e qeverisë së vendit, si dhe deputetët e Kuvendit të Maqedonisë të cilët në muajin tetor mbështetën Marrëveshjen e Prespës, respektivisht propozimin për qasjen drejt ndryshimeve të Kushtetutës së Maqedonisë, veprim të cilin ai e quajti “hap për të siguruar një të ardhme të ndritshme për Maqedoninë dhe qytetarët e saj”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do t’i lejojë Maqedonisë të fitojë vendin e saj të ligjshëm në NATO dhe në BE si ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’, duke kontribuar në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal”, theksoi Sullivan.

Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, të arritur në qershor midis Maqedonisë dhe Greqisë, sipas të cilës shteti duhet të ndryshojë emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut. Në palën maqedonase marrëveshja është në fazën e tretë të zbatimit të saj dhe pritet të miratohet në muajin janar të vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë më pas palës greke që të ratifikojë marrëveshjen.

I pyetur të komentojë pritjet e tij mbi marrëveshjen nga pala greke, Sullivan bëri të ditur se sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, javën e kaluar ka realizuar një takim me një delegacion grek, si pjesë e dialogut strategjik midis SHBA-ve dhe Greqisë.

“Ne kemi rënë dakord me kolegët grek për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, rëndësinë e saj për të ardhmen e Greqisë. Ne mbështesim Greqinë përderisa zbaton Marrëveshjen e Prespës për prosperitetin dhe të ardhmen e të dy vendeve, Greqisë dhe Maqedonisë, si dhe njëkohësisht për marrëdhëniet e tyre”, u shpreh Sullivan.

Ndërkaq, kryeministri Zaev, nga ana e tij, vizitën e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit e quajti një dëshmi shtesë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për vendin e tij.

“Në bisedën e sotme kam theksuar se në Maqedoni po krijojmë kushte për një mjedis politik që do të mundojë realizimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, se i reduktojmë rreziqet në minimum dhe se nuk do t’i lëshojmë proceset në ndonjë rastësi. Realizimi i suksesshëm i këtij procesi në Kuvend është bileta jonë për t’u bashkuar me NATO-n”, deklaroi kryeministri Zaev.

Zaev po ashtu tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar në rolin e saj, që të jetë faktor lidhës midis vendeve të rajonit dhe që të inkurajojë krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jenë të përkushtuar në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

“Ne po ndërtojmë një partneritet për një Ballkan të ri, me mbështetjen e fuqishme nga BE-ja dhe SHBA-të”, u shpreh Zaev.

Sullivan, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni në kuadër të turneut nëpër disa metropole evropiane, ndër të cilat, përveç Shkupit parashikohet t’i vizitojë edhe Bratisllavën, Vjenën, Sofjen, Sarajevën dhe Varshavën, ka realizuar takim edhe me kryediplomatin Nikolla Dimitrov, ndërsa gjatë ditës do të pritet në takim edhe nga presidenti Gjorge Ivanov dhe kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın