Politikë

"SHBA-ja do të ndihmojë Pakistanin për të stabilizuar ekonominë"

Gjatë takimit, Blinken siguroi Zardarin se Washingtoni do të mbështesë Islamabadin për ta bërë industrinë e tij teknologjike më produktive

Islam Uddin  | 19.05.2022 - Përdıtësım : 19.05.2022
"SHBA-ja do të ndihmojë Pakistanin për të stabilizuar ekonominë"

Islamabad

SHBA-ja ka siguruar Pakistanin se do ta ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë së tij pasi vendi i Azisë Jugore po përballet me krizë politike dhe ekonomike, njoftoi sot Islamabadi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm pakistanez Bilawal Bhutto Zardari u takua me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në New York dhe diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe midis Islamabadit dhe Washingtonit, tha Ministria e Jashtme pakistaneze në një deklaratë.

Zardari mbërriti në New York të martën në vizitën e tij të parë me ftesë të Blinkenit për të marrë pjesë në takimin ministror "Siguria Ushqimore Globale - Thirrje për Veprim".

Dy diplomatët kryesorë shprehën kënaqësinë për angazhimin e vazhdueshëm dypalësh në fusha të ndryshme përfshirë tregtinë, investimet, klimën, energjinë, shëndetësinë dhe arsimin.

Zardari e informoi homologun e tij për situatën aktuale të ekonomisë së Pakistanit ndërsa Blinken tha se Washingtoni do të mbështeste përpjekjet e Islamabadit për të stabilizuar ekonominë e tij, sipas deklaratës.

Të mërkurën, dollari amerikan arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave kundrejt një rupije pakistaneze tashmë të dobësuar, duke u rritur mbi 200 në tregun e hapur.

Qeveria njoftoi ndalimin e importit të produkteve luksoze nga jashtë për të kontrolluar rezervat valutore që po shterojnë.

Gjatë takimit, Blinken siguroi Zardarin se Washingtoni do të mbështesë Islamabadin për ta bërë industrinë e tij teknologjike më produktive.

"Pakistani do të punojë me administratën amerikane për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare dhe për të krijuar mundësi për investitorët, biznesmenët dhe sipërmarrësit amerikanë dhe pakistanezë që të punojnë së bashku", tha Zardari.

Të dy palët shprehën vendosmërinë e tyre për të punuar në objektivat e tyre të përbashkëta për një Afganistan paqësor dhe të qëndrueshëm.

Ministri i Jashtëm pakistanez po ashtu theksoi rëndësinë e mënyrave efektive për të trajtuar kërcënimin e terrorizmit.

“Konfliktet mund të jenë shumë traumatike për kombet, siç ishte evidente nga lufta e zgjatur kundër terrorizmit ndërkombëtar, që ka prekur rajonin tonë dhe më gjerë”, tha Zardari.

Ai po ashtu shprehu shqetësimin e tij për islamofobinë në rritje dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kashmirin e administruar nga India dhe veprimet e vazhdueshme kundër pakicave në Indi, duke thënë se kjo "kërcënon paqen dhe stabilitetin rajonal".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın