Politikë

Rama: Raporti i Komisionit Evropian është dokument udhërrëfyes për Shqipërinë

"Komisioni e rikonfirmon edhe një herë bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Evropian...", tha Rama

Fatjon Cuka  | 20.10.2021 - Përdıtësım : 21.10.2021
Rama: Raporti i Komisionit Evropian është dokument udhërrëfyes për Shqipërinë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri, Luigi Soreca, në një konferencë për mediat u fokusuan në raportin e fundit të Komisionit Evropian, ndërsa ambasadori i BE-së i dorëzoi Ramës raportin vjetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama tha gjatë konferencës se raporti i progresit i Komisionit Evropian është dokument udhërrëfyes për Shqipërinë. Rama theksoi se përtej anëtarësimit, proces i integrimit evropian është një proces i brendshëm, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm, sipas tij, për të pasur një shtet që funksionon me të gjitha normat dhe standardet e një shteti demokratik dhe modern.

"Komisioni e rikonfirmon edhe një herë bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Evropian dhe për të ndërmarrë së bashku me Bashkimin Evropian diskutimin e anëtarësimit. Ne gjejmë tek Komisioni Evropian një partner të drejtë dhe të paanshëm dhe një partner rigoroz që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve", u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm nga pikëpamja e integritetit dhe në përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE-së.

Ai tha se sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe, që sipas Ramës janë reforma të konsolidimit të institucioneve demokratike, duke iu referuar reformës në drejtësi, në administratën publike, si dhe luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit

Rama tha se raporti është edhe një dokument që nxjerr në pah sfidat, problemet dhe çështjet që duhen adresuar për të përparuar më tutje.

- "Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat"

Ambasadori Soreca theksoi se është treguar qartë se Ballkani Perëndimor është në fakt përparësi për Bashkimin Evropian.

Ai tha se raporti vjetor bazohet tek metodologjia e re dhe shtoi se është një vlerësim i drejtë i situatës në Shqipëri në lidhje me rrugëtimin e saj drejt BE-në. "Janë dhënë meritat që i takojnë Shqipërisë aty ku i takojnë këto merita dhe janë theksuar ato fusha ku përparimi ka qenë i pamjaftueshëm dhe ku kërkohet më shumë vëmendje", u shpreh ai.

Sipas tij, në përgjithësi vlerësimi është që në raport thuhet se pavarësisht sfidave, Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian dhe me rezultate të prekshme.

"Raporti po ashtu konfirmon që Shqipëria i ka përmbushur kushtet që ishin përcaktuar nga Këshilli. Ne theksojmë edhe një herë që konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe përpara fundit të vitit", theksoi Soreca.

Ambasadori i BE-së i dorëzoi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë edhe kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ndërkohë, për raportin në fjalë u diskutua edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian të Shqipërisë (KKIE).

Në raportin e Komisionit Evropian që u publikua dje theksohet se Shqipëria është mesatarisht e përgatitur me reformën e administratës së saj publike dhe se sistemi gjyqësor i Shqipërisë është gjithashtu mesatarisht i përgatitur. Sipas raportit, Shqipëria ka vazhduar të zbatojë reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi, që ka rezultuar me përparim të mirë. Gjithashtu theksohet se Shqipëria ka arritur një nivel të mirë përgatitjeje në lidhje me marrëdhëniet e jashtme, sigurinë e jashtme dhe mbrojtjen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.