Politikë, Bota

Putin i hapur për aleancë ushtarake midis Rusisë dhe Kinës

Presidenti rus, Putin tha se Rusia dhe Kina zhvillojnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe se kanë arritur sukses të madh në bashkëpunimin ushtarak

Elena Teslova  | 23.10.2020 - Përdıtësım : 23.10.2020
Putin i hapur për aleancë ushtarake midis Rusisë dhe Kinës

Moskë

Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se ai është i hapur ndaj idesë së formimit të një aleance ushtarake midis Rusisë dhe Kinës, por jo për momentin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur gjatë një video-konference me anëtarët e Klubit të Diskutimit Valdai, një forum diskutimi me qendër në Moskë, Putin tha se përderisa një aleancë e tillë aktualisht nuk po shqyrtohet, ajo nuk mund të përjashtohet.

Putin kujtoi se Rusia dhe Kina zhvillojnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe se kanë arritur sukses të madh në bashkëpunimin ushtarak, jo vetëm në drejtim të shitjeve dhe blerjeve të armëve, por edhe në ndarjen e teknologjive, përfshirë fusha të ndjeshme.

"Ne gjithmonë kemi supozuar se marrëdhëniet tona kanë arritur një nivel të tillë ndërveprimi dhe besimi sa që përgjithësisht nuk na duhet, por në teori, është mjaft e mundur të imagjinohet kjo (aleancë ushtarake). Si do të zhvillohet më tej, jeta do të tregojë. Ne nuk e vendosim një detyrë të tillë për veten tonë tani, por në parim, ne nuk do ta përjashtojmë atë. Ne do të shohim. Në çdo rast, jemi të kënaqur me rrymën aktuale të gjendjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës në këtë fushë", tha Putin.

Duke iu referuar bashkëpunimit të mundshëm të Kinës në Traktatin e Reduktimit të Armëve Strategjike (START) midis Rusisë de SHBA-ve, Putin tha se Rusia mbështet idenë, por i takon SHBA-ve si një nismëtare e idesë të ftojë Kinën në bisedime.

Putin tha se pakti sugjeron ngrirjen e rritjes së arsenaleve bërthamore brende kufijve të deklararuar, por shtoi se për momentin aftësitë kineze janë shumë më pak se ato kufij dhe kjo vetëm mund të "ngrijë pabarazinë".

Ai po ashtu theksoi se traktati duhet ta nënshkruajë jo vetëm Kina, por edhe vendet e tjera bërthamore, përfshirë ato që nuk kanë statusin zyrtar të një fuqie bërthamore.

Sa i përket Rusisë, Moska nuk po lufton mundësitë për të zgjeruar kushtet e traktatit, por e konsideron të arsyeshme të ruajë të paktën një mjet të kontrollit të armrëve.

Traktati i parë i Reduktimit të Armëve Bërthamore (START), i nënshkruar në vitin 1991 midis SHBA-ve dhe BRSS-së, hyri në fuqi në vitin 1994. 

Çështja Navalny

Duke komentuar mbi helmimin e pretenduar të figurës opozitare ruse, Alexey Navalny, Putin tha se do të ishte e palogjikshme që autoritetet ruse të rregullojnë fluturimin e Navalny-t për trajtim në Gjermani nëse ata ishin pas incidentit.

Putin tha se ai personalisht autorizoi transportimin e Navalny-t jashtë vendit, pavarësisht nga kufizimet e lidhura me një hetim.

"Dosjet e çështjes u transferuan në OPCW (Organizata e Ndalimit të Armëve Kimike) dhe u shfaqën deklarata të reja. Ai dyshohet se është helmuar me diçka tjetër përveç agjentit Novichak. Pra, është Novichak ose jo. Ka tashmë dyshime rreth asaj që u tha në fillim", tha Putin.

Gjendja e 44-vjeçarit Navalny, një kritik i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, u përkeqësua më 20 gusht gjatë një fluturimi nga qyteti siberian Tomsk për në Moskë. Avioni më pas bëri ulje emergjente në Omsk. Pasi Navalny u dërgua me urgjencë në një spital, u pretendua se ai ishte helmuar me një substancë të përzier në çajin e tij.

Navalny u transferua më 22 gusht nga Omsk në spitalin privat Charite në Berlin të Gjermanisë. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert më 2 shtator njoftoi se përfundimisht kanë përcaktuar se Navalny është helmuar me një kimikat nga grupi i Noviçok që përdoret në luftën kundër sëmundjeve nervore.

Seibert, edhe më 14 shtator tha se helmimi i Navalny-t është konfirmuar edhe nga dy laboratorë të pavarur në Suedi dhe në Francë.

Spitali Charite më 7 shtator informoi se situata shëndetësore e Navalny-t është përmirësuar dhe se ka dalë nga koma. Ekipi i Navalny-t pretendon se kimikati i grupit të Noviçok është gjetur në një shishe në dhomën e hotelit ku Navalny ka qëndruar më parë në qytetin Tomsk.

Më 23 shtator u njoftua se Alexei Navalny ka dalë nga spitali Charite në Berlin ku mori trajtimin mjekësor.

Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje në këtë rast, duke theksuar se armët kimike nuk janë zhvilluar ose prodhuar në vend që kur qarku i fundit kimik u shkatërrua në vitin 2017.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.