Agon Fehmiu
04 Shkurt 2016•Përditësim: 05 Shkurt 2016
PRISHTINË (AA) – Parlamenti Evropian (PE) e ka miratuar rezolutën për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës me 403 vota për, 130 vota kundër dhe 104 abstenime në sesionin e sotëm plenar në Strasburg, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Bekim Çollaku, ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për Kosovën dhe ka falënderuar PE-në për vlerësimin pozitiv të progresit në zbatimin e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.
“Shpreh mirënjohjen time të lartë për Parlamentin Evropian i cili e ka shprehur qartë edhe një herë gatishmërinë e vet për të dhënë pëlqimin e vet, propozimit eventual nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ka ftuar Komisionin Evropian që të bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për më tepër, e çmoj shumë rëndësinë që ky institucion i jep nevojës për intensifikimin e kontakteve ndër-njerëzore ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të shteteve të BE-në”, tha ministri Çollaku, thuhet në njoftim.
Nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe BE-së, Parlamenti Evropian e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm të integrimit evropian të Kosovës, si dhe mekanizëm të fuqishëm në zbatimin reformave që do ta përshpejtojnë procesin e integrimit evropian të shtetit më të ri në Evropë.
Sipas ministrit Çollaku, miratimi i kësaj Rezolute ka qenë porosi e qartë për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe do të ngritë kredibilitetin e BE-së.