Politikë

"Para Këshillit të BE-së, vendim duhet të sjellin parlamentet e vendeve anëtare"

Josip Juratovic po qëndron në vizitë pune në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku ka zhvilluar takim me kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe me komisionet parlamentare për çështje evropiane dhe për politikë të jashtme

Abdula Berisha  | 13.06.2019 - Përdıtësım : 14.06.2019
"Para Këshillit të BE-së, vendim duhet të sjellin parlamentet e vendeve anëtare" ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Deputeti i Parlamentit të Gjermanisë, Josip Juratovic, ka deklaruar se para se Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) të vendosë nëse do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë e Veriut, kjo çështje duhet të miratohet edhe nga parlamentet kombëtare të vendeve anëtare të BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Juratovic bashkë me deputetë të tjera të parlamentit të Gjermanisë po qëndron në vizitë pune në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku ka zhvilluar takim me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, me grupin parlamentar për bashkëpunim mes dy kuvendeve, si dhe me komisionet parlamentare për çështje evropiane dhe për politikë të jashtme.

Deputetët gjermanë në këto takime kanë qenë të shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Shkup, Thomas N. Gerberich.

Në deklaratën për mediat pas zhvillimit të takimeve, deputeti gjerman Juratovic tha se Komisioni Evropian (KE) tashmë dha "dritë jeshile" për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE dhe se të njëjtën duhet ta bëjë edhe Këshilli i BE-së.

Mirëpo, ai sqaroi se mes këtyre dy vendimeve, ka një proces teknik "që është harruar disi", duke theksuar se para vendimit të Këshillit të BE-së, radhën e kanë parlamentet kombëtare.

"Kjo pasi parlamenti është ai që e sjell vendimin, ai është organi më i lartë shtetëror, i cili si organ legjislativ i jep urdhër qeverisë të cilin duhet ta zbatojë", tha Juratovic.

Ai më tej sqaroi se kjo çështje akoma nuk është vendosur në rend dite në parlamentin gjerman, duke shtuar se tani do të vijojnë pushimet vjetore dhe se kjo çështje mund të gjendet para deputetëve të parlamentit gjerman në fund të shtatorit apo në fillim të tetorit.

Megjithatë, Juratovic u shpreh optimist se vendimi do të jetë pozitiv, duke vlerësuar Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar mes Maqedonisë së Veriut dhe duke e cilësuar vendin si shembull pozitiv në rajon.

Antonio Milloshovski, kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme, nga ana e tij tha se caktimi i datës për fillim të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE-së po vonohet tashmë për 10 vite, pasi siç theksoi ai, që nga viti 2009 vendi ka marrë rekomandimin e parë të KE-së për fillim të negociatave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.