Politikë, Sport

Novak Gjokoviç kthehet në Serbi pasi u deportua nga Australia

Tenistit serb iu ndalua hyrja në Australi për 3 vjet pasi anulimi i vizës së tij u konfirmua nga tre gjyqtarë të Gjykatës Federale

Mustafa Talha Öztürk  | 17.01.2022 - Përdıtësım : 17.01.2022
Novak Gjokoviç kthehet në Serbi pasi u deportua nga Australia

Beograd

Tenisti serb Novak Gjokoviç u kthye në Serbi pasi u deportua nga Australia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjokoviç, tenisti më i mirë për meshkuj, më 4 janar iu dha një përjashtim mjekësor nga vaksinimi për koronavirusin (COVID-19) nga autoritetet australiane për të udhëtuar dhe për të mbrojtur titullin e tij në Australian Open, në ndjekje të fitores rekord të 21-të Grand Slam.

Megjithatë, ai u ndalua nga autoritetet e imigracionit kur mbërriti në Melbourne më 6 janar.

Gjokoviç paraqiti një apel kundër vendimit dhe një gjykatë urdhëroi lirimin e tij më 10 janar, por atleti serb u ndalua sërish të shtunën pasi ministri i Emigracionit i Australisë, Alex Hawke përdori kompetencat diskrecionale për të anuluar vizën e tij.

Më pas, dje atij iu ndalua hyrja në Australi për 3 vjet pasi anulimi i vizës së tij u konfirmua nga tre gjyqtarë të Gjykatës Federale.

Megjithatë, kryeministri australian Scott Morrison tha sot se Gjokoviç mund të lejohet të hyjë në vend më shpejt, në kushte të përshtatshme.

Përderisa ndalesa vlen për tre vjet, ekziston mundësia që ai të kthehet në rrethanat e duhura, të cilat do të shqyrtoheshin në atë kohë, tha kryeministri për radion australiane Channel Nine.

Australia kërkon nga të gjithë lojtarët të vaksinohen plotësisht kundër COVID-19 për të konkurruar në turneun e parë të madh të tenisit të vitit.

Gjokoviç ka fituar Australian Open në 2008, 2011, 2012, 2013, 2015, 2016, 2019, 2020 dhe 2021.

Australian Open 2022, Grand Slam-i i parë i vitit do të mbahet në Melbourne midis 17-30 janar.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.