Politikë

Maqedonia me guvernatoren e parë femër, Bezhoska merr detyrën

Ish guvernatori i BPRM-së, Dimitar Bogov, tha se Banka Popullore është nga institucionet e rralla që me ligj i ka në detaje të definuara qëllimet, realizimi i të cilave mund të matet

Bekim Laci  | 22.05.2018 - Përdıtësım : 23.05.2018
Maqedonia me guvernatoren e parë femër, Bezhoska merr detyrën Bekim Laci/AA

Shkup

SHKUP (AA) - Republika e Maqedonisë u bë me guvernatoren e parë femër që do të ushtrojë postin e drejtuesit të Bankës Popullore. Në një ceremoni zyrtare të pranim dorëzimit të detyrës, ish guvernatori Dimitar Bogov, ia dorëzoi detyrën pasardhëses së tij, Anita Angellovska Bezhoska, e cila të hënën mori besimin e shumicës parlamentare, raporton Aandolu Agency (AA).

Ish guvernatori i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Dimitar Bogov, në një konferencë për media, shpalosi atë të cilën e quajti llogaridhënie para largimit nga detyra, për çka tha se Banka Popullore është nga institucionet e rralla që me ligj i ka në detaje të definuara qëllimet, realizimi i të cilave mund të matet.

Siç tha mej Bogov, qëllimi kryesor i Bankës Popullore është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, që në rastin e Maqedonisë është bërë përmes stabilitetit të denarit kundrejt euros si dhe të kontribuojë për sistem stabil financiar, përmes ruajtjes së një sistemi bankar stabil, të orientuar drejt konkurrentshmërisë dhe konkurrencës së tregut.

Bogov u ndal tek realizimi i këtyre qllimeve në shtatë vitet e fundit, ku siç tha inflacioni mesatar ishte 1.5 për qind, që krahasuar me euro-zonën, pasi denari është i lidhur me euron, ishte pak më i lartë se 1.2 për qind, që ka bërë që kursi devizor i denarit të mbahet në një nivel stabil.

“Denari aspak nuk humbi nga konkurrentshmëria kundrejt euros, pasi nuk kishim apreciacion të denarit, pikërisht nga shkaku se inflacioni mbahej në nivel të ngjashëm me atë të Eurozonës. Edhe stabiliteti financiar u ruajt mirë, ndërsa sistemi bankar zhvillohej me sukses gjatë tërë kësaj periudhe, për çka në shtatë vitet e fundit, aktivat bankare, depozitet dhe kreditet janë rritur me rreth 50 për qind”, tha Bogov.

Ai tha se në shtatë vitet e kaluara, Banka Popullore me sukses u përball me dy goditje të forta, kriza greke e borxhit në vitin 2015 dhe sulmi spekulativ mbi stabilitetin monetar, në prill dhe maj 2016.

Anita Angellovska Bezhoska, në deklaratën e parë për mediat falënderoi ish guvernatorin Bogov, duke shtuar se ka qenë pjesë e ekipit të tij në kohën kur institucioni kalonte çastet më të vështira, me çka kanë mundësuar një stabilitet makroekonomik.

“Para meje mbetet sfida për të vazhduar politikën e pavarur monetare, në drejtim të përmbushjes së qëllimeve të caktuara me ligj, që është stabiliteti çmimor, për të cilin mendoj se është kontributi më i madh që mund të jepet në shoqëri, përmes një kursi devizor të qëndrueshëm të denarit”, tha Bezhoska.

Anita Angelovska Bezhoska ishte propozim i presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov, kandidaturën e së cilës e mbështetën 81 deputetë.

Në postin e guvernatorit vjen nga radhët e profesionistëve dhe strukturave menaxhuese të Bankës Popullore, që sipas presidentit do të mundësojë vazhdimësinë e punës pozitive dhe zhvillimin e suksesshëm të politikës monetare të Republikës së Maqedonisë.

Angelovska-Bezhoska ka 19 vjet përvojë pune, kryesisht në fushën e politikës monetare, politikës makroekonomike, politikës fiskale dhe menaxhimit të financave publike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.