Politikë, BALLKANI

Maqedoni e Veriut, MOST do t'i monitorojë zgjedhjet e parakohshme me afro 900 vëzhgues

Sipas listës zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, gjithsej 1.814.263 qytetarë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik

Admir Fazlagikj  | 10.07.2020 - Përdıtësım : 12.07.2020
Maqedoni e Veriut, MOST do t'i monitorojë zgjedhjet e parakohshme me afro 900 vëzhgues

Shkup

Asociacioni qytetar MOST do t'i monitorojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara më 15 korrik në Maqedoninë e Veriut me afro 900 vëzhgues, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e sotme për media kryetari i MOST-it, Darko Aleksov informoi për atë se si ky asociacion do ti monitorojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

"Asociacioni qytetar MOST do të monitorojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare me afro 900 vëzhgues. Në 696 vendvotime, të zgjedhura në mënyrë të rastësishme do të vendosen i njëjti numër i vëzhguesve me çka do të mbulohet 20 për qind e numrit të përgjithshëm të vendvotimeve në të gjithë vendin. Vëzhguesit e MOST-it janë statikë dhe do të ndjekin procedurën e votimi gjatë gjithë ditës", tha Aleksov.

Siç tha ai, MOST do të vendosë 55 ekipe mobile, të përbërë nga 2 vëzhgues secila, të cilët do të shërbejnë si mbështetje logjistike për vëzhguesit statikë dhe herë pas here do të monitorojnë vendvotimet ku MOST nuk ka vëzhgues statikë. Për më tepër, 80 komisione zgjedhore komunale do të mbulohen nga vëzhguesit për të monitoruar punën e komisioneve zgjedhore komunale ndërsa do të monitorohet edhe puna e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

"Ashtu si në proceset e mëparshme zgjedhore, Asociacioni qytetar MOST zbaton projektin në përputhje me Deklaratën universale mbi parimet për vëzhgimin jopartiak të zgjedhjeve nga ana e organizatave qytetare dhe standardet e tjera të njohura ndërkombëtarisht për monitorimin vendor", shtoi Aleksov.

Ai tha se gjatë ditës së zgjedhjeve do të hapet një linjë telefonike falas përmes së cilës qytetarët mund të raportojnë çdo parregullsi ose të japin informacione në lidhje me procesin zgjedhor.

Në kontekstin e faktit se këto zgjedhje do të mbahen gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit (COVID-19), Aleksov tha se "respektimi i masave është një domosdoshmëri me të cilën duhet patjetër të funksionojmë dhe do të vazhdojmë të funksionojmë edhe në të ardhmen".

Në emër të asociacionit qytetar që ai drejton, Aleksov u bëri thirrje qytetarëve që të ndajnë disa minuta nga koha e tyre dhe duke respektuar masat të shkojnë në vendvotime dhe të përmbushin detyrën e tyre qytetare.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 15 korrik. Ato ishin paraparë paraprakisht për më 12 prill të këtij viti, por u shtynë për shkak të situatës me COVID-19.

Për shkak të situatës me COVID-19, zgjedhjet do të mbahen me rregulla dhe protokolle të veçanta, për shkak të të cilave, në vend të një dite, do të votohet tri ditë, gjegjësisht më 13, 14 dhe 15 korrik.

Siç informojnë autoritetet më 13 dhe 14 korrik do të votojnë personat e pafuqishëm dhe të sëmurë, përfshirë edhe ata të prekur nga COVID-19, në shtëpi ose në spitale, të gjithë ata që janë në vetizolim dhe të gjithë personat e sëmurë kronikë.

Më 15 korrik votimi do të zgjatet për dy orë, gjegjësisht do të votohet nga ora 07:00 deri në ora 21:00, duke respektuar protokollet për mbrojtje nga COVID-19.

Sipas listës zgjedhore të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, gjithsej 1.814.263 qytetarë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik.

Fushata për këto zgjedhje filloi më 24 qershor dhe do të zgjatë deri më 12 korrik. Në këto zgjedhje për 120 vende në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut do të garojnë 15 koalicione dhe parti politike me 1.598 kandidatë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.