Politikë

Kuvendi i Shqipërisë projektrezolutë për "mbrojtësit e drejtave të njeriut”

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, deklaroi se projektrezoluta është produkt i punës së bërë nga një grup i madh kontribuesish në Parlamentin e Shqipërisë dhe jashtë tij

Saimir Alija  | 11.09.2018 - Përdıtësım : 11.09.2018
Kuvendi i Shqipërisë projektrezolutë për "mbrojtësit e drejtave të njeriut”

Tiranë

TIRANË (AA) - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë zhvilloi një seancë diskutimi për projektrezolutën “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, gjatë fjalës në komision deklaroi se projektrezoluta është produkt i punës së bërë nga një grup i madh kontribuesish në Parlamentin e Shqipërisë dhe jashtë tij.

Sipas saj, rezoluta e ka zanafillën në një forum që organizoi Kuvendi i Shqipërisë më 13 prill të vitit 2018, “Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”.

“Bashkimi Evropian ka miratuar një udhëzues në vitin 2004 për mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Këshilli i Evropës ka përparuar më tej, duke i kërkuar vendeve anëtare, duke përshirë edhe Shqipërinë, për të hartuar një strategji për mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Edhe OSBE/ODHIR ka një kontribut në krijimin e ambientit të përshtatshëm. Shumë individë, organizata dhe institucione të pavarura kushtetuese kanë adresuar një sërë shqetësimesh që lidhen me mjedisin që operojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, me nevojën e forcimit të rolit të tyre si dhe rolin e rëndësishëm që ato kanë në shoqëritë demokratike”, deklaroi Hysi.

Duke folur për rëndësinë e hartimit të kësaj projektrezolute, Hysi u shpreh se “në hartimin e saj janë mbajtur në konsideratë një sërë dokumentesh, duke filluar nga deklarata universale e të drejtave të njeriut dhe një sërë dokumentesh të fundit, duke pasur parasysh dhe rezolutën e vitit 2018 dhe rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në vendet anëtare të KiE-së”.

Më tej gjatë fjalës së saj, Hysi tha se Kuvendi duhet të forcojë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe shoqëria civile të paraqesë shqetësimet që ka në komisionet përkatëse.

Pjesë e seancës ishte edhe Avokatja e Popullit e Republikës së Shqipërisë, Erinda Balanca.

Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet projektrezolutës, synon të përcaktojë angazhimin e tij institucional për të kontribuar në përmirësimin e kuadrit ligjor lidhur me mbrojtjen e mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe për të forcuar kontrollin parlamentar për zbatimin e tij. Pas shqyrtimit nga komisionet parlamentare projektrezoluta në fjalë pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın