Politikë

Kuvendi i Kosovës debaton për shpenzimet e paparashikuara

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës mbahet me kërkesë të 44 deputetëve nga partitë opozitare, për vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga rezervat shtetërore

Zülfiya Yakup  | 12.03.2019 - Përdıtësım : 13.03.2019
Kuvendi i Kosovës debaton për shpenzimet e paparashikuara ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës partitë opozitare kanë dërguar një varg kritikash në adresë të qeverisë për shkak të siç thanë, shpenzimit të pakontrolluar të parave nga buxheti i shtetit nga shpenzimet e paparashikuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës mbahet me kërkesë të 44 deputetëve nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Alternativa, për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga rezervat shtetërore.

Si iniciator i debatit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se mbledhja e jashtëzakonshme është thirrur pasi nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare nga qeveria apo institucion tjetër për monitorimin parlamentar të shpenzimit të rezervave shtetërore.

Ai tha se Qeveria e Ramush Haradinajt nga fillimi i mandatit ka vendosur një praktikë të keqe që me vendimet e saj shpenzon shumë të madhe parash nga rezervat e shtetit, pa planifikim, pa kritere të vlefshme dhe pa analizë buxhetore financiare me të cilat vendime ka vetëm një qëllim "të ngopë orekset elektorale të kryeministrit dhe të koalicioni PAN duke keqpërdorur paratë publike".

"Vetëm për periudhën gjatë kalimit nga viti 2017 në vitin 2018, Qeveria miratoi më shumë se 60 vendime të veçanta, të cilat arrijnë shumën prej 8.387 milionë euro nga linja buxhetore për rastet e paparashikuara. E njëjta praktikë po ndodh edhe këtë vit. Në vetëm dy muajt e parë, janar - shkurt 2019, më shumë se 1.7 milionë euro janë ndarë nga vendimet e qeverisë, përfshirë dhënien e 500 mijë eurove për aktivitetet e shënimit të 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës”, tha ai duke shtuar se në vetëm dy muaj, janë shpenzuar rreth 50 për qind e këtyre fondeve.

Ai adresoi një sërë kritikash tjera për shpënzime të parave publike, siç janë 500 mijë euro vitin e kaluar për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në adresimin e tij tha se vlera e shpenzimeve për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës është rreth 170 mijë euro dhe se të gjitha mjetet tjera do të kthehen në buxhet dhe se tashmë ka kërkuar revizion për shpenzimin e parave publike. Ai ka shtuar se ndarja e mjeteve nga rezervat shtetërore është praktikë e vazhdueshme e qeverive që kanë udhëhequr me vendin dhe se në vitin 2016 kanë qenë 8 milionë e 187 mijë euro për shpenzime të paplanifikuara. 7 milionë e 40 mijë janë ndarë në vitin 2017.

“Është praktikë e vazhdueshme e qeverive paraprake PDK, LDK dhe tani qeverisë Haradinaj. Te gjitha vendimet janë transparente dhe disa nuk janë përjashtim”, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Safete Hadërgjonaj, nga ana e saj tha se seancat sikur kjo, bëhen pa asnjë argument vetëm për të krijuar tensione.

Ajo krtikoi LDK-në duke thënë se shpenzimet që po i përmendin për qeverinë Haradinaj nuk dallojnë nga qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, ndërkohë kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se ajo çka është tronditëse është me shpenzimet për festën e pavarësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın