Politikë

Kryetari i Parlamentit të Turqisë bën thirrje për "sundimin e ligjit" në Tunizi

"Dëshira jonë është që qytetarët tunizianë të udhëhiqen sipas vullnetit të tyre, siç e meritojnë, me një qeveri në të cilën funksionojnë rendi kushtetues dhe sundimi i ligjit", tha Şentop

Ertuğrul Subaşı  | 28.07.2021 - Përdıtësım : 28.07.2021
Kryetari i Parlamentit të Turqisë bën thirrje për "sundimin e ligjit" në Tunizi

Baku

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Şentop, bëri thirrje për sundimin e ligjit dhe rendit kushtetues në Tunizi mes trazirave politike në vendin e Afrikës së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Dëshira jonë është që qytetarët tunizianë të udhëhiqen sipas vullnetit të tyre, siç e meritojnë, me një qeveri në të cilën funksionojnë rendi kushtetues dhe sundimi i ligjit", tha Şentop për kanalin turk të lajmeve Haber Global në një intervistë gjatë vizitës së tij në Azerbajxhan për bisedime.

I pyetur në lidhje me situatën në Tunizi, Şentop tha se disa institucione themelore nuk mund të krijohen në vend, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, sepse ligjet mbi zbatimin e kushtetutës nuk mund të miratohen.

Ai tha se një çështje tjetër është shkarkimi i kryeministrit, "sepse nuk ka asnjë autoritet që i jepet presidentit për të shkarkuar kryeministrin".

"Kryeministri mund të shkarkohet vetëm përmes votimit të mosbesimit në parlament. Presidenti mund të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe të marrë të gjitha llojet e masave, por këto masa nuk përfshijnë pezullimin e punës parlamentare dhe shkarkimin e kryeministrit ose qeverisë", tha ai.

Të dielën, Presidenti tunizian, Kais Saied, shkarkoi qeverinë e Kryeministrit Hichem Mechichi, pezulloi parlamentin dhe mori autoritetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.

Ky hap u refuzua nga shumica e palëve parlamentare të Tunizisë, duke përfshirë Ennahda, Zemra e Tunizisë, Koalicioni i Dinjitetit dhe Lëvizja Popullore.

Pas vendimeve të Saied, Kryetari i Parlamentit, Rached Ghannouchi, e përshkroi masën e presidentit si asgjë tjetër përveç një "grusht shteti të plotë" kundër kushtetutës tuniziane, revolucionit dhe lirive në vend.

Tunizia shihet si i vetmi vend që arriti të kalojë një tranzicion demokratik midis disa vendeve arabe të cilat përjetuan revolucione popullore që rrëzuan regjimet e tyre në pushtet, përfshirë Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.