Politikë

Kreu i Listës Serbe, Rakiq: Vendimi për targat e përkohshme drejtohet kundër serbëve

Goran Rakiq tha se "Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se nuk mund që njëra palë të marrë prej saj vetëm atë që i pëlqen"

Zylfije Adem Jakupi  | 20.09.2021 - Përdıtësım : 21.09.2021
Kreu i Listës Serbe, Rakiq: Vendimi për targat e përkohshme drejtohet kundër serbëve Foto: Arkiv / AA

Prishtinë

Kryetari i Listës Serbe dhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, vizitoi serbët të cilët u mblodhën pranë kalimit kufitar Jarinje në veri të Kosovës, ku tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targa të përkohshme është i drejtuar kundër serbëve nga Kosova, raporton Anadolu Agency (AA).

Rakiq ​​tha se ai erdhi në Jarinje pas informacionit që ishte mbledhur populli serb.

“Ne dëgjojmë informacione se kjo nuk është e drejtuar kundër popullit serb", tha ai, duke shtuar: "Siç mund ta shihni, këta njerëz nuk ngasin automjete luftarake, por automjetet e tyre personale me të cilat mbështesin familjet e tyre, automjete komunale, automjete me të cilat ushqejnë fëmijët e tyre, kështu që kjo drejtohet drejtpërdrejt kundër popullit serb".

Ai gjithashtu tha se "Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se nuk mund që njëra palë të marrë prej saj vetëm atë që i pëlqen".

Rakiq u bëri thirrje serbëve të mbledhur që të jenë të arsyeshëm dhe paqësor dhe të mos bien pre e provokimeve, si dhe Prishtina zyrtare të mos bie pre e provokimeve apo sfidave. Ai gjithashtu bëri thirrje për ndihmë drejtuar shtetit të Serbisë dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke bërë thirre për gjetjen e zgjidhjes sa më shpejtë të jetë e mundur.

Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) të Kosovës dhe të nënshkruar nga ministri Xhelal Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin ‘RKS’”, shtoi ai në rrjete sociale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e tabelave të përkohshme për veturat me tabela të Serbisë që futen në Kosovë, nuk është dëshirë e autoriteteve kosovare, por imponim nga Serbia.

Duke folur nga Kuvendi i Kosovës për aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, kryeministri Kurti tha se këto veprime nuk kanë asnjë qëllim për cenimin e lëvizjes së qytetarëve serbë në Kosovë, e as destabilizim, por sipas tij, janë thjesht respektim i marrëveshjes për të cilën është pajtuar edhe Serbia në Bruksel për targat e veturave.

“Në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës automjetet që janë me tabela të Serbisë dhe hynë në territorin e Kosovës, do të pajisen me tabela të përkohshme”, theksoi Kurti.

Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha veturat me targa KS, ndërsa ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, veturat me targa të Serbisë deri më sot futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın