Politikë

Kremlini: Putin do të takohet të martën me të dërguarin e SHBA-së, Witkoff

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti rus do të zhvillojë disa takime sot në përgatitje të takimit të nesërm

Burç Eruygur  | 01.12.2025 - Përdıtësım : 01.12.2025
Kremlini: Putin do të takohet të martën me të dërguarin e SHBA-së, Witkoff

Istanbul

Kremlini konfirmoi se një takim i pritur midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Steve Witkoff, të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të zhvillohet në Moskë të martën pasdite, raporton Anadolu.

"Po, me të vërtetë, një takim me Witkoff është planifikuar për nesër", u tha gazetarëve në një konferencë për media, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov tha se pamjet e takimit në kryeqytetin rus do të publikohen, por as nuk konfirmoi dhe as nuk e mohoi nëse do të lëshohet një deklaratë pas negociatave.

Ai tha më tej se Putin do të zhvillojë disa takime private sot në përgatitje për takimin e nesërm, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Peskov riafirmoi akuzat e Rusisë kundër Ukrainës për një sulm ndaj infrastrukturës së Konsorciumit të Gazsjellësit Kaspik në qytetin portual në Detin e Zi, Novorossiysk, duke shtuar se Kremlini nuk ka informacion nëse është duke u zhvilluar një hetim për incidentin, i cili ndodhi të shtunën.

Ai tha se agjenda e Putinit është aktualisht e mbingarkuar dhe se një takim me Ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, i cili është planifikuar të mbërrijë në Rusi për një vizitë dyditore të hënën, "nuk është planifikuar ende".

Peskov shtoi se Kremlini nuk mund të ndajë asnjë informacion në lidhje me qëndrimin e presidentit të rrëzuar sirian Bashar al-Asad në Rusi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.