Politikë

Kosovë, Veseli paralajmëron mbajtjen e seancës konstituive më 26 dhjetor

Seanca konstituive do të udhëhiqet nga kryeparlamentari i legjislaturës paraprake, Kadri Veseli, i cili tha se seanca do të mbahet në datë dhe në kohën e përcaktuar nga presidenti Thaçi

Agim Sulaj  | 18.12.2019 - Përdıtësım : 18.12.2019
Kosovë, Veseli paralajmëron mbajtjen e seancës konstituive më 26 dhjetor ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Pas mbledhjes së përfaqësuesve të partive politike parlamentare në Kryesinë e Kuvendit, janë përcaktuar kornizat e mbajtjes së seancës konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, e cila parashikohet të mbahet pasditen e 26 dhjetorit, raporton Anadolu Agency (AA).

Seanca konstituive, siç edhe është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, do të udhëhiqet nga kryeparlamentari i legjislaturës paraprake, Kadri Veseli, i cili tha se seanca do të mbahet në datë dhe në kohën e përcaktuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Veseli, i cili njëherësh është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tha se shpreson në konstituimin sa më të shpejtë të kuvendit me partine e tij në opozitë.

“Kosova duhet të ecë përpara nuk kemi lluks të vonohemi dhe presim një seriozitet që institucionet të formohen sa më shpejtë”, tha Veseli.

Veseli tha se me lënien e pozitës së tij si kryeparlamentar ndihet i lumtur që në mandatin e tij “asnjë nga deputetët e Kuvendit nuk ka qenë i dëmtuar”. Megjithëse, tha se ka përjetuar situata jo të lehta si udhëheqës i këtij institucioni.

“Kam pasur fat që nuk ka qenë i lehtë, jam shumë i lumtur. Me mbledhjen konstituive të radhës zyrtarisht e përfundoj edhe mandatin, por në mandatin tim asnjë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka qenë i dëmtuar në asnjë aspekt. Ndoshta kam qenë më tepër i dëmtuar vet si kryetar i Kuvendit, ndoshta ndonjëherë edhe e kam vënë veten në situata të cilat nuk do t’i besoja se do të vija në situata ta poshtërojë veten”, tha Veseli, i cili pohoi se do të qëndrojë si deputet i PDK-së në legjislaturën e re.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila doli e para nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit ende nuk ka arritur marrëveshje finale me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Takimi i fundit midis kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Isa Mustafa, më 14 dhjetor në Kuvendin e Kosovës zgjati për më shumë se katër orë, por pa rezultat për koalicion për shkak të mospajtimeve midis tyre.

LDK sot ka paralajmëruar se do të mbajë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm partiak ku pikë e rendit të rendit të diskutimit në këtë mbledhje do të jetë ecuria e bisedimeve me subjektin Lëvizja Vetëvendosje për koalicion të mundshëm qeveritar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.