Politikë

Anëtari i Knesset-it: Netanyahu urren arabët e Izraelit

Kryeministri izraelit, Netanyahu u drejtohet votuesve arabë në përpjekjen për të fituar në zgjedhjet e 23 marsit

Zehra Nur Düz  | 24.02.2021 - Përdıtësım : 24.02.2021
Anëtari i Knesset-it: Netanyahu urren arabët e Izraelit

Ankara

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu urren qytetarët arabë të Izraelit, deklaroi një anëtar arab i Knesset-it (Parlamenti izraelit), raporton Anadolu Agency (AA).

"Netanyahu është një nga kryeministrat më provokues të Izraelit për votuesit arabë dhe liderët arabë", tha për AA, Ahmad Tibi, anëtar i Bllokut të Përbashkët Arab që përfaqëson arabët izraelitë dhe udhëheqës i Lëvizjes Arabe për Ndryshim (Ta'al).

Tibi tha se Netanyahu po përpiqet të fitojë simpatinë e votuesve arabë përpara zgjedhjeve të planifikuara më 23 mars.

Ai theksoi se qëllimi i vetëm i qasjes pozitive të fundit të Netanyahut ndaj arabëve është të grumbullojë votat e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

Para zgjedhjeve të fundit në mars 2020, Netanyahu vizitoi vetëm një rajon me shumicë arabe.

"Ndërkaq, Netanyahu vizitoi rreth shtatë rajone arabe gjatë fushatës së tij aktuale zgjedhore deri më tani", tha Tibi.

"Netanyahu ka nevojë për të paktën dy deputetë të tjerë nga këto rajone që të rizgjidhet kryeministër dhe të marrë imunitetin ligjor", tha Tibi.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive arabe të angazhohen për shoqërinë tonë që ato të mos mbështesin legjislacionin që do të parandalonte gjykimin e kryeministrit ndërsa ishte në detyrë. Ne duam që Netanyahu të gjykohet për akuzat kundër tij”, shtoi ai.

Netanyahu më 8 shkurt u paraqit në Gjykatën e Qarkut në Kuds për rinisjen e gjyqit nën akuzat për korrupsion. Ai ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Më 14 janar, Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit ngriti padi kundër Netanyahut. Seanca e parë gjyqësore u mbajt në maj të vitit 2020, e pasuar nga një seancë tjetër në korrik të vitit 2020, para se gjyqi të shtyhej për shkak të masave mbyllëse të koronavirusit (COVID-19).

Tibi gjithashtu kritikoi ndarjen në bllokun e Listës së Përbashkët Arabe, duke thënë se ajo "dëmton kauzën palestineze".

Partia Ra'am nën udhëheqjen e Mansour Abbas, një nga katër partitë që formojnë bllokun e Listës së Përbashkët Arabe, vendosi të largohej nga aleanca dhe të dalë e vetme në zgjedhjet e 23 marsit.

Netanyahu po përgatitet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme, të katërtat në dy vite mes një ngërçi politik midis partive kryesore në Izrael.

Netanyahu, i cili kryeson partinë e krahut të djathtë Likud është kryeministri izraelit që ka qëndruar më tepër në pushtet me më shumë se 14 vjet në detyrë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın