Politikë

"SHBA-ja dhe Turqia të përkushtuara për të punuar ngushtë përballë sfidave"

Ankaraja dhe Washington-i synojnë të thellojnë bashkëpunimin dypalësh përmes dialogut konstruktiv dhe të hapur, thuhet në deklaratën e përbashkët pas takimit të kryediplomatëve të dy vendeve

Michael Gabriel Hernandez   | 19.05.2022
"SHBA-ja dhe Turqia të përkushtuara për të punuar ngushtë përballë sfidave"

Washington

SHBA-ja dhe Turqia janë “të përkushtuara për të punuar ngushtë së bashku për të përballuar sfidat aktuale gjeopolitike”, thanë dy vendet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar pas një takimi midis Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu tha se kryediplomatët “synojnë të thellojnë bashkëpunimin dypalësh përmes dialogut konstruktiv dhe të hapur siç parashikohet nga Mekanizmi Strategjik Turqi-SHBA”.

“Ata diskutuan mënyrat dhe vlerësuan hapat konkretë për të rritur bashkëpunimin e tyre për çështjet e mbrojtjes, kundër terrorizmit, energjisë dhe sigurisë ushqimore, luftimit të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së lidhjeve tregtare, ndërsa ranë dakord të intensifikojnë konsultimet për një sërë çështjesh rajonale”, thuhet në deklaratë.

“Ata përsëritën gjithashtu mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës kundër luftës së papranueshme të Rusisë. Në këtë kuadër, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia riafirmuan mbështetjen e tyre për të gjetur një zgjidhje për t'i dhënë fund luftës”, theksohet më tej.

Çavuşoğlu tha më herët se bisedimet me SHBA-në në lidhje me shitjen e avionëve F-16 Ankarasë po përparojnë pozitivisht.

Diplomati i lartë turk iu referua një letre të Departamentit të Shtetit drejtuar Kongresit Amerikan, ku thuhej se dorëzimi i avionëve “nuk është i rëndësishëm vetëm për Turqinë, por edhe për SHBA-në”.

“Mund të them se negociatat dhe takimet tona po shkojnë pozitivisht dhe Kongresi duhet të punojë gjithashtu për këtë”, u tha Çavuşoğlu gazetarëve.

Duke komentuar aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, Çavuşoğlu tha se shqetësimet e sigurisë së Turqisë duhet të trajtohen.

“Ne kemi gjithashtu shqetësime legjitime për sigurinë, që ata kanë mbështetur organizatat terroriste” tha Çavuşoğlu, duke shtuar se një çështje tjetër janë kufizimet e eksportit të produkteve turke të mbrojtjes.

“Ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona dhe kam pasur një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë me dy kolegët”, tha ai.

Disa orë më vonë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, shprehu besimin se “shqetësimet e Turqisë mund të adresohen”.

“Finlanda dhe Suedia po punojnë drejtpërdrejt me Turqinë për ta bërë këtë, por ne po flasim gjithashtu me turqit për të ndihmuar në lehtësim”, u tha Sullivan gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Unë pres që këto mosmarrëveshje të zgjidhen. Pres që NATO do të flasë me një zë dhe pres mbështetjen e Finlandës dhe Suedisë në fund të fundit”, shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın